Kvitova fiton Wimbledonin

Petra Kvitova ka fituar Grand Slam titullin e saj të parë të shtunën, duke mposhtur Maria Sharapovan 6-3, 6-4 në finale të Wimbledonit. Çekja Kvitova, bartësja e tetë, u paraqit në finalen e saj të parë në një turne të rëndësishëm, por ishte tre herë kampionja në Grand Slam Sharapova e cila shfaqi nervat.
Kampionja e vitit 2004 në Wimbledon bëri gjashtë gabime të dyfishta në shërbim, përfshirë dy te rezultati 4-2 me gema në setin e parë. 21 vjeçarja Kvitova është tenistja e parë majtake që fiton titullin në Wimbledon, pas Martina Navratilovas më 1990.
Duke luajtur në ritëm të lartë dhe shfrytëzuar me sukses forhendin, Kvitova bëri shumë pak gabime në Centre Court, derisa çekja Navratilova dhe Jana Notovna ishin të ulura në Royal Box së bashku me ish kampione të tjera të Wimbledonit. Kvitova asnjëherë nuk e humbi besimin, edhe pse humbi tre gema në shërbim. Sharapova ishte favorite para meçit.
Përveç titullit në All England Club më 2004, ajo fitoi edhe në US Open më 2006 dhe Australian Open 2008. Operacioni në krah në tetor 2008 ia ngadalësoi karrierën, por për herë të parë prej asaj kohe ajo u rikthye në gjysmëfinale të një Grand Slam turneu në Roland Garros muajin e kaluar.
Në Wimbledon, Sharapova nuk kishte humbur asnjë set në rrugëtimin e saj deri në finale. Por, ajo vuajti me shërbimin e saj në gjysmëfinale duke bërë 13 gabime të dyfishta në fitoren ndaj gjermanes Sabine Lisicki. Mirëpo, ajo ishte e pafuqishme përballë Kvitovas, e cila dominoi meçin.
“Është vështirë të gjej fjalë. Qëndroj këtu me trofeun në duar dhe shoh disa teniste të mëdha në Royal Box. Është ndjenjë shumë e mirë që Martina Navratilova dhe Jana Novotna më kanë shikuar dhe më kanë përkrahur gjatë gjithë garës, duke më dhënë edhe këshilla”, tha Kvitova pas meçit.
“Sigurisht se isha nervoze. Më shkonte mendja se mund të fitoj Wimbledonin, por u desh të isha e përqendruar në secilën pikë. Jam shumë e lumtur që kam triumfuar”, u shpreh ajo.
Ndërsa, Sharapova tha: “Fatkeqësisht në tenis është vetëm një fitues dhe kjo e bën garën kaq të veçantë. Kam marr përkrahje të madhe për shumë vite, andaj të kthehem në këtë fazë duke mbajtur trofeun e nënkampiones ka rëndësi të madhe për mua. Sigurisht se e kam dashur të madhin. Por, mbetet një gjë për të cilën do të kthehem dhe shpresoj ta fitoj sërish”.
Rusja më pas ktheu vëmendjen te Kvitova. “Urimet e mëdha i takojnë asaj për fitoren e shkëlqyeshme, ke zhvilluar një turne të mrekullueshëm”. Kvitova u bë tenistja e parë çeke që fitoi Wimbledonin, pas Jana Novotnas më 1998.