Nis dezinsektimi i kryeqytetit
Të hënën fillon faza e dytë e dezinsektimit hapësinor të Prishtinës. Ndërkohë, është përmbyllur suksesshëm faza e parë e këtij projekti, ka njoftuar Lulzim Katanolli, shef i kompanisë për dezinsektim “Doktor Eksterminator”.
Projekti i dezinsektimit hapësinor parashihet të zhvillohet në katër faza. Faza e parë e këtij projekti është realizuar suksesshëm në muajin qershor.
Shefi i kompanisë “Doktor Eksterminator” që bën dezinsektimin nga mikrobet e ndryshme në kryeqytet, Lulzim Katanolli, thotë se qëllimi i kësaj kompanie është zvogëlimi i numrit të madh të mushkonjave dhe insekteve, që mund të paraqesin rrezik për qytetarët duke u shkaktuar epidemi të ndryshme, pikërisht gjatë sezonit veror.
“Qëllimi kryesor i dezinsektimit hapësinor është zvogëlimi i numrit të insekteve siç janë mushkonjat, për parandalimin e sëmundjeve që janë prej mizave apo mushkonjave. Mund të zvogëlohet numri i tyre, sepse këto nuk mund të eliminohen, por zvogëlimi i numrit të tyre është i mjaftueshëm për ne”.
Dezinsektimi do të bëhet në lagjen e Aktashit-Muhagjerëve, Parkun e Qytetit, Vellusha, Qyteza Pejton, Tophane, Arbëria, Kodra e Trimave, Deponia e Hedhurinave e të tjera.