Daniel Godelli, peshngritje, "kampion bote për të rinj"
Daniel Godelli është shpallur sot kampion i botës për të rinj, pasi peshëngritësi shqiptar ka trimfuar në kategorinë e peshës së tij, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për këtë grupmoshë.
Në këtë kampionat, që po zhvillohet në Pineng të Malajzisë, Godelli ka spikatur në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, duke marrë dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh.
140 kg e ngritura me sukses në provën e parë, i kanë mjaftuar peshëngritësit të vetëm shqiptar në këtë veprimtari botërore, për të marrë medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes. Në fakt, Godelli, i cili i shkoi dëm dy provat e tjera me 141 kg, e ka humbur medaljen e artë në këtë stil vetëm për shkak të peshës trupore. Ndërkaq, një provë e vetme me 169 kg, i ka mjaftuar Godellit të marrë një tjetër medalje të argjendtë në stilin e shtytjes, ku peshëngritësit shqiptar përsëri i është mohuar medalja e artë për shkak të peshës trupore. Megjithatë 309 kg e marra në total i kanë dhënë Daniel Godellit medaljen e artë në dygarësh dhe titullin e kampionit të botës. Duhet theksuar se medaljet e Godellit, i cili ka garuar duke vuajtur ende dëmtimin e pësuar në Evropianin e para disa muajve në Rusi, janë medaljet e parë që kontinenti evropian merr në këtë Kampionat Botëror të Peshëngritjes për të Rinj, që po dominohet nga Azia dhe Afrika.