Ky është vetëm fillimi?
Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një prononcimi për atë që ndodhi dje në Kuvend.
“Mendova që mënyra se si u mbulua pozicioni vakant i zonjës Seseri në Parlament ishte më e mirë, nga mënyrë se si u mbulua pozicioni i mbetur bosh në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Mbrëmë kam shkëmbyer opinionin me një person që e respektoj shumë dhe në fakt i sugjerova dhe i thashë se ky është vetëm fillimi. Dhe përgjigjja që mora ishte:’po Zoti ambasador keni të drejtë, ky është vetëm fillimi’, tha Arvizu.
Situata politike në vend është acaruar ndjeshëm në fakt, kur dukej se gjithçka ishte qetësuar dhe mazhoranca me opozitën, edhe pse në mënyrë të sforcuar, po bashkëpunonin dhe kaluan disa ligje me konsensus në Kuvend.
Por, ashtu siç paralajmëroi edhe ambasadori amerikan, fjala konsensus duket se tashmë duhet të harrohet.
Kryeministri Berisha e tregoi se nuk ka ndërmend që të hapë rrugë dhe të lëshojë asgjë. E nisi me kandidatin e ri të KLD-së dhe pritet ta përfundojë me Presidentin e ri të Republikës. Në mes ndërkohë është dhe reforma zgjedhore, që gjithashtu Berisha po e zvarrit.
E ndërsa opozita është përpjekur të tregohet e maturuar në veprimet e saj, edhe për shkak të paragjykimeve se nuk ka qenë bashkëpunuese, tashmë edhe brenda saj janë shtuar zërat dhe kritikat se me Berishën nuk mund të ketë bashkëpunim dhe konsensus. Me të duhet të sillesh ndryshe.
Këtë e tha fare qartë një prej aleatëve historikë të PS-së, Skënder Gjinushi, që e njeh mjaft mirë Berishën dhe e shprehin edhe deputetë të tjerë opozitarë, si Erion Braçe.
E ndërsa ambasadori amerikan paralajmëroi se ky është vetëm fillimi, tashmë pritet të shihet se kush do të jetë fundi.