Shpërbjeli dhe krijohu kushtet që mos të ikin, pastaj uroji
Kryeministri Berisha ka nxituar të urojë Kampionin e Ri në peshngritje, Erkand Qerimaj.
Kryeministri Berisha ka shprehur urimet më të përzemërta për Erkand Qerimajn si dhe për të gjithë ekipin për suksesin e arritur, duke e cilësuar rekordin evropian të shënuar si një arritje madhore për gjithë sportin shqiptar, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.
“Zoti Esat, urimet më të përzemërta për ty dhe Erkandin dhe të gjithë ekipin për suksesin e shkëlqyer që arritet. Rekordi europian që shënuat është arritje madhore për ju, Erkandin dhe peshngritjen e sportin shqiptar. Ju lumtë dhe gjithmonë suksese,- thuhet në mesazhin e Berishës drejtuar ekipit të peshëngritjes.
Por, Berisha do të bënte mirë që të shpërblente dhe të krijonte kushte më të mira për sportistët shqiptarë, pasi shumë prej tyre, për shkak të pagesave dhe trajtimit qesharak, kanë vendosur të konkurrojnë për shtete të tjera. Një rast i tillë ka qenë edhe për Erkand Qerimajn, që ka kërcënuar disa herë me largimin nga kombëtarja shqiptare, nëse vazhdon indiferenca e shtetit. Ndërsa kujtojmë edhe Elis Gurin, mundësin që u shpall kampion me Bullgarinë, për shkak të trajtimit skandaloz nga shteti shqiptar.
Tashmë pritet të mësohet se si do të trajtohet nga shteti shqiptar Erkand Qerimaj dhe peshëngritësja Romela Begaj, të cilët kanë fituar shumë medalje në arenë ndërkombëtare, por nuk janë shpërblyer ende për mundin e tyre. Një gjë të tillë ata ia kanë shprehur në fytyrë edhe titullarit të MTKRS, Aldo Bumçi, në një mbledhje pa kohë më parë, kur ky i fundit u mundua që ti cilësonte sukseset e tyre si pjesë e strategjisë së suksesshme të qeverisë shqiptare.
Interesante do të jetë të shihet edhe nëse do të paguhet apo jo shpërblimi i tyre për renditjen në Kampionatin Evropian, ku sipas VKM-së përkatëse, Qerimaj duhet të shpërblehet me 4 milionë lekë të reja dhe Begaj duhet të shpërblehet me 2 milionë lekë të reja. Por shtangistët shqiptarë pretendojnë që ata të shpërblehen edhe për renditjet në stilet individuale dhe jo vetëm për renditje përfundimtare në dygarësh.