E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky master të lihet për ata që studiuan në sistemin 4-vjeçar

Drafti po diskutohet. Iniciativë e mirë marrja e mendimit të botës akademike

Ky është një draft në përpunim. Nga të gjitha fakultetet janë dhënë mendime për përmirësimin e tij. Që kur u miratua ligji, pati polemika dhe koha tregoi që shumë prej tyre duhej të ndryshonin. Ka përmirësime eventuale, hiqen diplomat e nivelit të parë e të dytë, që kishin krijuar një kaos edhe për vetë studentët. Sistemi i studimeve bëhet më i thjeshtë, në përshtatje edhe me kurrikulën. Diploma e Masterit të Nivelit të Dytë për ata që kanë mbaruar më përpara duhet të rregullohet, që të jetë e ekuivalentueshme me masterin shkencor ose profesional. Ndryshe të gjithë ata që kanë mbaruar me sistemin katërvjeçar, ku do të shkojnë? Të gjithë do të interesohen për të bërë doktorata. Mendoj se për ata që kanë mbaruar katërvjeçarin, ose kanë diplomën e integruar, duhet të kenë një hapësirë jo vetëm të lidhur me doktoratën. Një hapësirë për të vazhduar një master, për t’u unifikuar me të rejat që vijnë në shkencë. Kjo që ndodhi tani, ky Master i Nivelit të Dytë shërbeu shumë, pasi shoh interesin që ka ngjallur. Mendoj se nuk duhet të hiqet për ata që kanë mbaruar sistemin katërvjeçar. Nuk u mohon të drejtën për të marrë njohuri. Ligji duhet të parashikojë diçka për këtë kategori. Pra, të shkëputur nga doktorata, të lejojë edhe mastera profesionalë njëvjeçarë dhe mastera qoftë edhe të nivelit profesional pas DND. Ky është një draft në diskutim. Ne kemi dërguar vërejtjet tona, që besoj se do të përfshihen. Përfshirja në një debat të gjerë e aktorëve si vetë fakultetet, bota akademike, katedrat, është shumë e dobishme, sepse kjo reformë duhet të jetë e implementueshme për vetë botën akademike. është gjë e mirë nga ana e ministrisë që e ka shtrirë debatin, por nuk kemi pse të ecim në rrugë të reja, kur mund të ndjekim rrugën e fqinjëve tanë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›