Merkel-Erdogan, detajet e një takimi të vështirë
Integrimi i emigrantëve turq në Gjermani, hyrja e Turqisë në Bashkimin Europian, çështja bërthamore iraniane dhe marrëdhëniet ekonomike, ishin këto temat e diskutimeve mes Kryeministrit turk, Recep Taip Erdogan, dhe Kancelares gjermane, Angela Merkel, që ndodhet në Turqi për një vizitë dyditore. Për shkak të rëndësisë së madhe të çështjeve ky mendohet se është një takim shumë delikat. Sigurisht që në plan të parë qëndron futja e Turqisë në Bashkimin Europian: javën e kaluar Merkel kishte shprehur për një gazetë në Ankara mendimin e saj për një model “bashkëpjesëmarrje strategjike”, dhe jo për praninë e saj me të drejta të plota në familjen europiane. “Janë plot çështje për të cilat duhet të bisedojmë, por ne shpresojmë që të realizojmë disa prej tyre. Rezultati që do të ndikonte në një marrëdhënie të privilegjuar mes dy vendeve”, ka deklaruar Kancelarja gjermane. Ndërkaq, ajo kujtoi se negociatat për hyrjen e Turqisë në BE janë ende të hapura. Sipas Kryeministrit Erdogan, Turqia kërkon të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian, ndaj nuk duhet të ketë asnjë postim nga planet fillestare. Deri tani negociatat e ngadalta kanë lejuar mbylljen e 12 kapitujve nga 35 të tillë dhe mendohet se për 23 të tjerët do të duhen vite të tëra. Edhe çështja e emigrantëve turq në Gjermani ka qenë në qendër të bisedimeve mes dy krerëve të shteteve. Erdogan mbështet me forcë faktin e dyshtetësisë, gjë që Gjermania nuk e lejon. Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Erdogan kanë zbutur edhe kundërshtitë për mbështetjen e shkollave turke në Gjermani. “Kështu shkollat ku tashmë mësohet turqisht mund të zgjerohen edhe më shumë, por kjo nuk duhet të kthehet në justifikim që turqit në Gjermani të mos mësojnë gjuhën gjermane”, tha Merkel menjëherë pas takimit me Erdoganin në Ankara. Ndërkaq, një tjetër çështje që pritet të diskutohet sot është edhe ajo e programit bërthamor iranian. Dihet prej kohësh që Gjermania nuk mbështet programet e qeverisë së Teheranit, ndërsa Turqia është kundër sanksioneve duke mbështetur faktin se ky program është thjesht për qëllime paqësore. Ndërkaq, një rëndësi do t’u kushtohet marrëdhënieve ekonomike bilaterale: plot 4 mijë kompani gjermane zhvillojnë aktivitetin e tyre në Turqi. Sot Merkel pritet të takojë Presidentin turk, Abdullah Gul, dhe të marrë pjesë në një forum ekonomik në Stamboll me praninë e një numri të madh sipërmarrësish gjermanë. Kjo është vizita e saj e dytë si Kancelare në Turqi.
#