Ky nuk është ferri, kam akoma ëndrrën
Falma Fshazi
Siç ndodh shpesh në Sanremo, dhe këtë vit, jo veç me Adriano Çelantanon prania e të cilit mjafton të të kujtojë revoltën, po dhe me nje vajzë të re Italia e ngriti zërin. Emma e bukur dukej sikur i kish dhënë flokëve një krëhër djaloshar për të ngacmuar vëmendjen që do fokusohej shumë tek pamja dukë lënë në vend të dytë fjalën. Emma e kish marrë në vete dhe djalin dhe vajzën e në paqe me trupin femëror i drejtohej atyre që siç thoshte ajo, kanë akoma vetëdije e besojnë tek vëndi. «Në dikush më dëgjon këto fjalë të thjeshta, flas për të gjithë ato njerëzit e varfër që akoma besojnë tek e mira,» vazhdonte kënga. Pas që kisha dëgjuar disa herë fjalët, ndërsa vëreja përputhjen e tyre me kuptimet që reflektonte pamja e Emmës elegante dhe rebele, nuk ndenja dot pa bërë krahasime me vendin tim. «Njerëzit e varfër!» thashë me vete. Italianët apo disa prej tyre ishin këto… Ne në Shqipëri, skemi të varfër që ia vlejnë të përmenden, e këto italianët bëjnë këngë për ato në vështirësi… «Më thoni çtë bëj të paguaj për të ngrënë, për të paguar ku të banoj, më thuaj çtë bëj… Jo ky nuk është ferri, por unë nuk kuptoj, si është e mundur të mendoj se më e lehtë është vdekja…»këndonte Emma.
Italiania rebelohej me forcë për gjendjen ekonomike në vendit të vet i cili në fakt, njihet më shumë për gjurmën e fortë që ka lënë në qytetërimin botëror sesa për këto lloj vështirësish. Gjithsesi, dihet se një vënd lë gjurma në historinë e njerezimit për sa njerëzit e tij kërkojnë më shumë, nuk heshtin e as binden lehtësisht. Italia nga filozofia, standarti i jetesës së italianëve e deri tek muzika, kurrë se pranoi mesataren. Vjet kundër pushtetit (që më pas ra) thërriste me këngë Vecchioni, sivjet kundër krizës ekonomike (që do ta mposhtin) këndonte Emma. Aq sa më emociononin e jepnin shpresë për vendin fqinj fjalët e saj të kënduara deri në kupë të qiellit nga anija kozmike e artit të Sanremos të RAIt të shtetit italian, aq dhe më preknin si në plagë kur mendoja vendin tim. Vëndin tim që në vend të anijeve kozmike të mendimit, ka kohë që prodhon astronautë të servilizmit. Vëndin tim, ku fjalë të tilla do të ishin herezi (se janë padrejtësi kundrejt gjithë asaj mirëqenie që sipas pushtetarëve kemi). Vëndin tim ku televizioni i shtetit veçse i këndon këngë partisë e qeverisë, e padyshim veçanërisht burrit kryepartiak e kryepushtetar. Vëndin tim ku ska pak të rinj e të reja që kanë pranuar të duartrokasin pushtetin në çmendurinë e vet të deklarimit armiq të shqiptarëve që përmendin varfërinë e vrasin ato që i rebelohen asaj. Vendin tim ku dhe artistët i pushton shpesh e në vazhdimsi pushteti. Vëndin tim ku gjuha, ai shpirti i gjallë që na bën të jemi, përçudnohet çdo ditë ndërsa i ngjeshen pa galje ngjyrat e urrejtes. Vendin tim ku ka shqiptare, që krejt ndryshe nga italiania Emma, riprodhojnë vendosmërisht egërsinë, dhunën, antipatinë, intolerancën e pangopësinë që rrjedhin nga pushteti (i mashkullit të edukuar si sunduesi i femrës e më pas i gjithë të tjerëve).
E pezmatimi është i madh kur mendon se para kësaj tablloje kaq të mjerë, ka të shumtë që gjejnë justifikime e ia servirin çdo ditë shqiptarëve. Dhe po, gjejnë qeveritaro pafajsira e arritje. Dhe po, kërkojnë se kush na e ka fajin dje apo tej, kur të sotmen e ndërtojmë vete në çdo moment, tani e këtu. Dhe po, kërkojnë të gjëjnë sa faje ka opozita kur ka një pushtet si ky i treguar më sipër… Nuk kuptoj tashmë, nëse këto skuptojnë vendin apo botën. Apo dhe në ekziston mundësia të mos kuptojnë, meqë në fund të fundit të vdekurit ngelen nën borë, apo nën këngën e pushtetit… Gjithsesi derisa sa shkruaj e shoh diku një shpresë. Ndoshta në këto zërat që ngrihen përtej Adriatikut… Ndoshta në disa gazetarë e opozitarë shqiptarë që përpos shumë presioneve nuk heshtin, as nuk ikën. Ndoshta e pashë një dritë në lotët e Anës (Veizi) që kurrsesi nuk u gjunjëzua. Ndoshta, e kam parë vetë shpresën në sytë që flisnin në pamundësi të bejnë zë, veçanërisht, atje në Shkodër. E ndoshta, se vetë nuk paguaj e do bëja çmos të mos paguaj taksën e kësaj TVSH. E për këtë shpresë, me fjalët e Emmës që si mbante dot lotët, por guxonte vendosmërisht, përsëris: «Ky nuk është ferri, por nuk e kuptoj… dhe nuk pretendoj, por akoma ëndërroj që ti më dëgjon dhe këto nuk mbesin veç fjalë…»