Ky poshtërim i universiteteve që s’mbaron
Fillimi i vitit të ri akademik iu dha mundësi disa politikanëve kryesorë të vendit të shpallin qëndrimin e tyre ndaj sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri. U prononcua Presidenti i Republikës, kryeministri, ministri i Arsimit dhe kryetari i opozitës. Secili u mundua që në këtë prononcim publik, sipas mënyrës së tij, të ishte specifik, i dallueshëm, duke thënë atë që mendonte si më të rëndësishmen në pikëpamjen politike. Një sy i vëmendshëm, megjithatë, dallonte diçka të përbashkët në të gjitha prononcimet. Një dashuri të stërmadhe të secilit politikan për universitetet, gati të pakufi, të veshur me shqetësimin pikëllues se, pavarësisht përpjekjeve të tyre, pra, pavarësisht se ata kishin bërë gjithçka që kishin në dorë, punët akoma nuk shkojnë mirë në sistemin e arsimit të lartë. Në thelb, kryeministri tha që cilësia e universiteteve është akoma e ulët; ministri, meqenëse është i ri, tha një gjë që ministri i mëparshëm e përsëriste vazhdimisht, pra u shpreh në mbrojtje të ligjit ekzistues; kryetari i opozitës tha që gjithçka shkonte keq dhe krahasoi universitetet me ndërmarrjet ku punohet me turne, duke nënvizuar mungesën totale të cilësisë; por ajo që vërtet më befasoi ishte qëndrimi i presidentit, i cili, sikur të mos dinte asgjë për përpjekjet e mëdha që bënë profesorët e universiteteve dhe vetë universitetet për të patur një ligj tjetër nga ai i sotmi, ekzaktësisht në kohën kur ai ishte kryetar i grupit parlamentar të pozitës dhe prandaj faktor në parlament, veçoi si më të rëndësishmen nevojën e përmirësimit të ligjit të arsimit të lartë vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë të qeverisë me pedagogët dhe njësitë universitare! Edhe media vizive shprehu qëndrimin e saj, njësoj të përzier me shqetësim pikëllues. Veçanërisht këtë e bëri një televizion pranë qeverisë, i cili, pasi kish kundërshtuar të merrej me debatin për universitetet, kur ai ishte në kulmin e tij, e organizoi atë këto ditë, ku të binte në sy pjesëmarrja e çuditshme në debat e Drejtorit të Përgjithshëm “KESH”, si dhe pjesëmarrja masive e studentëve nga disa universitete private!
Pra, në thelb, të gjithë dukeshin të shqetësuar, të gjithë dukej sikur thoshin që ne bëmë ç’ishte e mundur, bëmë ç’kishim në dorë, por kështu janë këto punë, nuk ndreqen menjëherë dhe ajo që është vërtet më e rëndësishmja, pra që përbën konstanten, substancialen, është që ne, politikanët, përsëri duam të bëjmë diçka më shumë, apo së paku, të gjithë duhet ta dinë që ne s’kemi hequr dorë së përpjekuri për universitetet, për përmirësimin e arsimit në Shqipëri. Për një qytetar të zakonshëm të këtij vendi e gjithë kjo është një gjellë e zakonshme, të cilën ai e gëlltit çdo ditë, ashtu mekanikisht dhe i përfshirë në të njëjtën rutinë si nevoja e ngrënies së vakteve. Është krejtësisht ndryshe për autorin e këtij shkrimi dhe për të gjithë kolegët e tij profesorë që bënë një përpjekje të jashtëzakonshme për më shumë se dy vjet për të bindur qeverinë, për të bindur parlamentin, presidentin dhe sigurisht për të bindur edhe opozitën, se ishte e domosdoshme jo bërja gjasme, por reformimi i thellë, tërësor, i krejt sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Për të gjithë ne, profesorë universitetesh, që përgatitëm një platformë realiste, të mbështetur nga pjesa më e madhe e universiteteve dhe u përpoqëm deri në vetëmohim, por pa sukses, të bindnim politikanët, rishfaqja e protagonistëve politikë në fillim të këtij viti akademik, pra këtyre refuzuesve të mëdhenj, duhet të kishte në thelb pendesën dhe jo atë shqetësim pikëllues, apo më saktësisht, jo atë hipokrizi që del në sipërfaqe sa herë i shpëton përgjegjësisë me alibinë e të mos qenit aty. Pendesën që çdo njeri i këtij planeti duhet të shfaqë kur nuk ka bërë atë që duhet, atë që gjithsesi nuk mund të thotë që s’e dija. Pendesën se reforma nuk u krye, jo sepse nuk ishte përgatitur mirë, jo sepse nuk ishte konsultuar me profesorët dhe strukturat universitare, por sepse prekte interesat politike të protagonistëve, interesat ndaj pushtetit, edhe kur ato janë në dëm të interesave të vendit, apo të universiteteve, si pjesa më e ndritur e tij.
. . .
Profesorët e universiteteve, të organizuar ose jo në Profesoratin shqiptar, nuk reshtën për më shumë se dy vjet të bindnin protagonistët politikë se përmirësimi i cilësisë së universiteteve dhe produktit të tyre mund të realizohej, vetëm nëse ato i nënshtroheshin një reforme të thellë. Ata përgatitën dokumentin e kësaj reforme, që në thelb do të krijonte hapësirë për zgjidhjen e problemeve më esenciale të një sistemi arsimor, si ato të ndërtimit të një sistemi unik të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, balancës midis autonomisë, qeverisjes dhe demokracisë në universitete, pranimit të publikut në qeverisjen universitare, shpërndarjes së pushtetit sipas parimit që problemet duhet të zgjidhen atje ku lindin, vendosjes së profesorit së bashku me eksperiencën e tij në qendër të universitetit, përputhjen e misionit të universiteteve me kualifikimin e personelit, krijimin e strukturave “tampon” midis universiteteve dhe qeverisë, pavarësinë relative të kontrollit të cilësisë dhe akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë. Ja edhe disa nga përpjekjet e tyre për të paraqitur këtë program reforme dhe bindur protagonistët e politikës shqiptare për nevojën e adoptimit dhe zbatimit të saj në Shqipëri.
Vjeshtë 2005. Një grup profesorësh përgatisin platformën e reformimit të sistemit shkencor në Shqipëri. Në thelbin e saj platforma parashikonte krijimin e një sistemi unik të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Megjithëse e porositur nga kryeministri, e përgatitur mbi zbatimin e parimeve më të njohura të kësaj fushe dhe njohjen e realitetit shqiptar, ajo nuk zbatohet asnjëherë ose zbatohet e tillë që nuk i ngjan aspak variantit të përgatitur nga grupi i profesorëve.
2005-2006. Përgatitet me pjesëmarrjen e profesorëve Masterplani për zhvillimin e Arsimit të Lartë i financuar nga Banka Botërore dhe përveç të tjerash, edhe me pjesëmarrjen e prej nga ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë të kësaj fushe, ish-këshilltar i kryeministres së Anglisë në vitet ‘80. Pavarësisht një takimi të gjerë midis ministrisë përkatëse dhe autoriteteve universitare të asaj kohe, pavarësisht se Masterplani u përgatit me porosi të vetë ministrisë, asnjë element thelbësor i tij, pra i planit të zhvillimit strategjik të arsimit të lartë në Shqipëri, nuk gjeti zbatim në Ligjin për Arsimin e Lartë të përgatitur më vonë nga qeveria. Aq më shumë, megjithëse është më i rëndësishëm se Ligji i Arsimit të Lartë, Masterplani nuk u bë objekt diskutimi dhe miratimi as për qeverinë dhe as për parlamentin. Mbi të gjitha, kjo ishte në kundërshtim edhe me rregullat dhe logjikën institucionale të gjërave në këtë fushë.
3 korrik 2006. Kolegji i Profesoratit shqiptar mblidhet në një konferencë për të diskutuar veçanërisht mbi krizën institucionale në sistemin e arsimit të lartë, e krijuar nga qeveria për shkak të moszhvillimit të zgjedhjeve në universitete, sipas afatit ligjor të tyre dhe për të gjetur rrugët që mund të çojnë në daljen prej saj. Marrin pjesë profesorët më të shquar të fakulteteve të Mjekësisë, Ekonomikut, të tri universiteteve të Tiranës dhe përfaqësues nga universitetet e rretheve, përfaqësues të sindikatave të arsimit të lartë. Të gjithë prononcohen hapur mbi gjendjen e rëndë, në të cilën qeveria i ka zhytur universitetet. Ishte një konferencë e një cilësie shumë të lartë për Shqipërinë, që i dha qeverisë mesazhe të drejtpërdrejta dhe ndërkohë përgatiti bazën më të gjerë të konceptimit të Projektligjit për Arsimin e Lartë. Asnjë reagim nga qeveria, shurdhmemecëri, zbrazëtirë, sikur s’ka ndodhur gjë.
20 tetor 2006. Asambleja e Kolegjit të Profesoratit shqiptar zhvillon një konferencë të gjerë me profesorë të shquar të universiteteve tona për të promovuar formën përfundimtare të Projektligjit për Arsimin e Lartë të përgatitur nga profesorët e kësaj Asambleje. Në këtë takim bëhet një analizë krahasuese dhe mbi këtë bazë rezulton që projektligji i përgatitur nga Asambleja gjendet në përputhje me parimet më esenciale të kësaj fushe si dhe me kolonat kryesore të Masterplanit, ndërsa projektligji i përgatitur nga ministria konstatohet të jetë një projektligj gjysmak, sharlatanesk, çka fatkeqësisht e kemi edhe sot në përdorim. Asambleja i dërgon një kopje të projektligjit të saj kryeministrit, kryetarëve të grupeve parlamentarë, Komisionit të Arsimit në parlament. Një kopje e këtij projektligji i dërgohet edhe Ministrisë së Arsimit, si një përpjekje e fundit për ta ndihmuar atë. Tani, kjo ministri ka atë që vërtet duhet të ketë. Po kështu edhe autoritetet e tjera politike të pozitës dhe opozitës. Përsëri gjithçka pasohet nga heshtja. Përsëri shurdhmemecëri, zbrazëtirë akoma më e thellë.
25 janar 2007. Asambleja e Kolegjit të Profesoratit shqiptar reagon menjëherë me anë të një rezolute pas formimit të KALSH (Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës), në të cilën, në thelb, shpreh që kjo strukturë ndërmjetëse, ashtu sikundër Komisioni i Kualifikimit Shkencor, është formuar në kundërshtim me Masterplanin dhe me konceptet tashmë të aprovuara nga institucionet ndërkombëtare. Denoncon nepotizmin dhe varësinë e këtij këshilli nga ministri. Gjithçka pasohet nga heshtja, përsëri.
20 prill 2007. Përfaqësues të Asamblesë së Profesoratit shqiptar paraqesin një relacion mjaft të detajuar dhe logjik mbi projektligjin “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” të përgatitur nga MASH dhe dëgjohen nga Komisioni i Arsimit të Kuvendit të Shqipërisë. Duke e ditur që është detyrë kushtetuese e qeverisë për të përgatitur dhe paraqitur projektligjin para parlamentit, ne, si përfaqësues të Profesoratit, paraqitëm vërejtjet për projektligjin e përgatitur nga qeveria, duke u nisur dhe mbështetur mbi variantin e përgatitur nga vetë Asambleja e Profesoratit. Përpara Komisionit konkluduam që për të patur një ligj që mbështetet mbi standardet duhet që ky komision dhe parlamenti të ndryshojnë të paktën 64 nene te projekti i ministrisë. Ky numër mjaftonte që komisioni të kuptonte se projekti i qeverisë ishte vërtet shumë i keq. Gjatë paraqitjes sonë nuk pati asnjë kundërshtim nga komisioni, çka na dha të kuptojmë që ose anëtarët e tij ishin dakord, dhe vërtet besuam te kjo, ose nuk dinin si të na kundërshtonin. Zhgënjimi e pasoi këtë takim. Parlamenti miratoi projektligjin e qeverisë, çka tregoi qartë që pozita dhe opozita ishin dakord me të, duke na bërë të besojmë përfundimisht për një konspiracion në kurriz të universiteteve.
Të gjithë politikanët e përmendur në fillim të këtij shkrimi kanë qenë në dijeni se si duhej të zhvillohej reforma në arsimin e lartë që të mund të lëvizte krejt sistemi. Pa përjashtim. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk zgjodhi reformën. Madje as kryetari i opozitës, gjë që do të ishte komode për të. Këshilltari i verdhë me zemër të zezë për Arsimin i kryeministrit e di mirë se çfarë zgjodhën ata. Unë e di që vendimi nuk ishte në dorën e këtij këshilltari, por di edhe se ç’është katalizatori në kimi. Për shkak të mospranimit të reformës, universitetet shqiptare kanë mbetur në thelb në gjendjen e para ‘90, në vitet e fundit të sistemit totalitarist. Mund të ndryshojnë hollësitë, sfondi shoqëror, por në thelb universitetet janë po aq të zhveshura nga çdo element i autonomisë së vërtetë universitare sa në atë kohë. Çdo problem thelbësor zgjidhet jashtë universiteteve. Të përjashtuara, universitetet janë shndërruar në qendra të mjeruara didaktike, shumë larg rolit lidership në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ngjashmërinë e përforcon akoma më shumë koincidenca e zgjedhjeve në universitete, e pranuar edhe nga vetë Ramiz Alia në vitet e fundit të diktaturës. Ashtu si atëherë, edhe sot, në mungesë të reformës, pra në mungesë të institucionit të vërtetë, rregullave dhe konkurrimit real, zgjedhjet universitare detyruan të aftët të dorëzohen të parët. Krijuan hapësira për përjetësimin e të paaftëve. Jo vetëm në universitete. Edhe në zgjedhjet politike që po afrohen.