E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Poda”, Kushtetuesja pranon kërkesën e PS

 

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën individuale të Zamir Podes, si kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë, por kalon për gjykim kërkesën e 28 deputetëve të opozitës që kërkojnë shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë. Në Gjykatën Kushtetuese kishin mbërritur dy kërkesa, një e firmosur nga 28 deputetë të opozitës dhe një kërkesë e vetë kandidatit, i cili nuk rezultoi fitues, edhe pse votimi në Kuvend fillimisht e shpalli atë fitues. Në kërkesën e tyre, deputetët shprehen se është shtrembëruar vullneti i Kuvendit dhe kërkojnë shfuqizim si antikushtetues të vendimit të Kuvendit për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e Zamir Podës si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe vlerësimin të bazuar në Kushtetutë dhe në fakte të rezultatit dhe vendimit të shpallur në seancë plenare, menjëherë pas procesit të votimit nga sekretari i Kuvendit të Shqipërisë për procedurat dhe votimet për "dhënien e pëlqimit të Kuvendit për emërimin e Zamir Podës si anëtar i Gjykatës së Lartë. Gjithashtu ata kërkojnë pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Pas numërimit të fshehtë në seancë, anëtari i komisionit të votimit, Arjan Madhi, shpalli fitues Zamir Podën me 65 vota pro dhe 62 kundër, ndërsa dy orë më vonë, në një komunikim me mediat ai e rrëzoi këtë rezultat, duke e cilësuar atë jo fitues. Sipas deputetëve, është antikushtetues që vendimi i seancës së Kuvendit të rrëzohet jashtë saj. Ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese interpretim përfundimtar të nenit 78 pika 1 të Kushtetutës, e për pasojë të nenit 55 pika 1 të rregullores së Kuvendit për mënyrën e marrjes së vendimeve nga Kuvendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›