Nënë Jovanka falënderon Bumçin, Bogdanin dhe Nishanin
Antena brenda familjes
I dashur Damir. I mora letrat e tua, por kam qenë e zënë në weekend, se kishim vizitorë nga Beogradi këtu në shtëpi. Na sollën lajme të çuditshme dhe andej. As aty s’i ke aq mirë punët, po mos u mërzit. Ai Vuk Jeremiç që e kemi mbajtur në shtëpi, paska filluar e flet keq për ty. U kishte thënë këtyre miqve tanë se ambasada amerikane në Beograd ka raportuar lidhjet e tua me Nikoliçin. Nuk di sa e vërtetë është kjo, por Vuku ishte trembur dhe i kishte thënë këtij mikut tonë, që “Damiri të mos më marrë më në telefon, se më prish punë”. Kur ke qenë në gusht në hotel “Hayat” në Beograd, ata të paskan filmuar për atë pazarin me tenderin e energjisë, që do t’i shisnit Shqipërisë dhe e kanë keqpërdorur. Po ashtu, më thanë se ambasadës amerikane në Beograd i ka ngelur qejfi që ti iu ke thënë radikalëve të Nikoliçit, që, nëse fitojnë, ti do t’u rregullosh punët me amerikanët dhe u ke përmendur Tom Ridge. Ambasada këtë e paska marrë shumë ters dhe ka raportuar në Uashington. Por këto janë vetëm llafe. Ti mos u mërzit. Fundja s’ke më punë në Beograd. Mirë i ke punët në Shqipëri.
Nga Tirana mora lajme të mira. Më mori dje Lulëzim Basha dhe më kënaqi. E dua shumë atë djalë, më duket sikur flas me ty, kur më merr ai në telefon. Është shumë i dashur dhe i sjellshëm. Më tregoi ç’po bënin për të të mbrojtur ty. U kënaqa shumë dhe më erdhi mirë që të respektojnë aq shumë. Kurrë s’do më kishte shkuar në mendje që do të të dilnin zot shqiptarët dhe fati yt do bëhej Shqipëria. Basha më tha se ai miku yt, kryeministri, ka angazhuar gjithë qeverinë dhe gjithë partinë në mbrojtjen tënde. Paska nja tre vetë që i nxjerr përditë dhe i thonë opozitës të kërkojë falje, pse ka bërë miting për një trafikant armësh që qeveria tani e quaka burrë të mirë. Këtë e bëkan, tha ky Basha, që të mos merren me çështjen tënde. Dhe ata avokatët që kishin shkuar në prokurori, ishin sjellë mirë. Ata ua kishin nxirë fare realitetin, se iu kishin thënë do hetohet për pastrim parash, por ata s’kishin folur fare para medias për këtë. Vetëm se ka bërë shumë përshtypje që ke marrë avokatë të shtrenjtë që kushtojnë një mijë dollarë ora. Se ashtu bie në sy që ke bërë shumë pará.
M’i tregoi Basha të gjitha këto betejat që po bëhen. Lavdëroi shumë atë Aldo Bumçin. Tha është më i miri për të bërë luftë për të mbrojtur Fazlliçin. As që e çan kokën fare se ç’thotë. Mjafton të të mbrojë ty. Mos i harro kurrë këta njerëz që po të gjenden në ditë të vështira.
Tani dua të të pyes dhe për disa gjëra private. Ti e di që të kam merak, kur flet publikisht, se e ke zakon të gënjesh që nga koha që ike nga Bosnja në Londër. Për ca gjëra s’është nevoja të gënjesh. Paske thënë në intervistë te TV “Klan” që ke 5 vjet i martuar. Të gjithë e dinë se ke dy vjet, se kur ke qenë në Shqipëri për herë të parë, ishe beqar. Dhe me atë punën e moshës bë pak kujdes. Se kam dëgjuar që po kërkojnë certifikatën e lindjes tënde dhe mund t’i gjejnë. Ne na thanë që u dogjën në Bosnjë, po në fakt s’i dihet. Ti ke një të mirë, se s’ke mbaruar asnjë shkollë dhe nuk kanë ku të të verifikojnë nga dëftesa. Por, sidoqoftë, s’ke nevojë të gënjesh për të gjitha gjërat. Vetëm për ato që je në hall.
Dhe një herë të uroj të jesh mirë dhe bëju ta fala miqve të tu në Shqipëri. Tani më duken dhe mua si djemtë e mi. Gjithmonë kam menduar se shqiptarët dhe serbët duhet të jenë miq, por na ndau ajo e mallkuar Kosovë. Të shpresojmë që brezi juaj do ta lërë atë pas krahëve.
Me mall, nënë Jovanka