Rama: Arsimi, një Gërdec i heshtur
Kryetari socialist, Edi Rama, ka vazhduar dialogun e tij për arsimin në qytetin e Gjirokastrës. Duke dhënë një tablo të situatës në të cilën gjendet arsimi sot në Shqipëri, sidomos ai universitar, Rama tha se Shqipëria po shkon drejt një tatëpjete që e ka vendin në prehrin e injorancës dhe kjo falë politikave të gabuara arsimore të ndjekura ndër vite, e sidomos tre vitet e fundit. Në këtë mënyrë, kreu i opozitës Edi Rama ka dhënë alarmin për ekzistencën e një Gërdeci të heshtur siç u shpreh ai, që paralajmëron shkatërrimin dhe kolapsin e sistemit arsimor në vend, sidomos atij universitar. Për liderin e PS-së, Edi Rama, tre krimet në sistemin arsimor shqiptar të dirigjuara nga qeveria aktuale, në sistemin e pranimit nëpër universitete është hyrja në to pa kriter e të gjithë elementëve me mesatare 5.5, rrafshimi i këtij sistemi dhe krimi i fundit, shtimi i radhëve të papunëve me arsim të lartë. Këto deklarata të Ramës erdhën fill pas ankesave që i janë drejtuar atij nga ana e disa pedagogëve të Universitetit të Gjirokastrës, për rrezikun që i kanoset nga numri i paktë i të frekuentuarve për këtë vit të ri akademik. Ekzistenca e universiteteve private dhe publike në jug të vendit, sipas pedagogëve të Universitetit të Gjirokastrës "Eqerem Çabej", ka eklipsuar së tepërmi frekuencën e këtij institucioni të arsimit të lartë, çka mund të çojë në mbylljen graduale të tij.