E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i shenjtë i të vdekurit

Nga Mero Baze

E dëgjoj përditë këtë fjalë. E thotë ose Jozefina Topalli, ose Aldo Bumçi, ose Enkelejd Alibeaj, ose Bujar Nishani dhe përditë Gert Bogdani. I pari e paska thënë Sali Berisha në Kuvend një ditë, por s’është dëgjuar mirë. Bëhet fjalë për një kërkesë që këta ia bëjnë çdo ditë Edi Ramës që të japë dorëheqjen, pse ka thënë se qytetarët dyshojnë se Kosta Trebickën e vranë! Edi Rama në fakt ka plot arsye të mos jetë kryetar i socialistëve shqiptarë, ose dhe kandidat për kryeministër. Por ato nuk janë arsyet që thotë kori në fjalë. Arsyet reale, pse Edi Rama nuk duhet të bëhet kryeministër apo nuk duhet të jetë shefi i opozitës, janë se në shumë pika ai ngjan me Sali Berishën, është autoritar, i vë njerëzit në rresht të flasin pa shumë mend në kokë, siç nxjerr Berisha çdo ditë korin e tij dhe është i gatshëm të ndajë çdo pushtet me Berishën, në rast se kjo e bën të ndjehet i sigurt brenda partisë së tij. Këto janë arsye të forta që unë si qytetar të mos e shikoj Edi Ramën si kryeministrin tim të ardhshëm. Por ka disa pika që ai nuk i ngjan Sali Berishës. Dhe një pikë është qëndrimi që ai ka mbajtur në rastin e vdekjes së Trebickës dhe rastin e Gërdecit. Ai nuk ka vepruar siç vepronte dhe vepron Sali Berisha. Ai ka pritur, ai është matur dhe ka thënë diçka që s’ka nevojë ta përgënjeshtrojë. Në rastin “Trebicka” iu ka thënë qytetarëve se qeveria duhet të bashkëpunojë me drejtësinë, me qëllim që vdekja të zbardhet dhe njerëzit të mos vazhdojnë të mendojnë se atë e vrau qeveria si kundërshtar. Po të ishte Sali Berisha në vend të Edi Ramës, teknologjia e luftës politike do të ishte e pashembullt. Ai jo vetëm që do ta shpallte vrasës Edi Ramën, por do t’i çonte arkivolin te dera e qeverisë. Edi Rama ka një teknologji krejt tjetër të përpunimit të opinionit publik. Nuk është se e ka më të ndershme se Sali Berisha, por nuk e ka në stilin e tij. Për shembull, nuk di se si do t’ia bëjë ky Gert Bogdani, nëse Erion Veliaj e hedh në gjyq dhe i thotë ma provo me ekspert amerikan po deshe nga shteti i Virxhinias, se kur ia kam ofruar 500 mijë euro Kosta Trebickës për ndonjë dëshmi të rreme. Bogdani natyrisht nuk ka ku ta provojë, por as falje s’do të kërkojë kurrë, pasi do të thotë jam thjesht zëdhënës. Edi Rama nuk i përket kësaj shkolle. Ai di ta dëmtojë më shumë kundërshtarin me një fjalor më të besueshëm, kurse Berisha di ta njollosë atë me gjëra krejt të pabesueshme.

Kjo fushatë e pacipë me një të vdekur, në emër të Kodit të Vdekjes, në fakt nuk ka lidhje fare me respektin ndaj Kosta Trebickës. Ajo nuk do të kishte nisur, nëse skandalet e rënda të familjes së kryeministrit të mos kishin nevojë për një gjethe fiku. Nëse nuk do të ishte hapur dosja “Fazlliç”, nëse kryeministri nuk do t’i kishte noterizuar akuzat, nëse vajza e tij nuk do të pranonte publikisht se e kishte Fazlliçin klient dhe mik shtëpie, nëse prokuroria nuk do të niste hetimet, nëse drejtësia nga SHBA nuk do bashkëpunonte në këtë proces, Berisha dhe të tijtë tani as që do ta kishin zënë në gojë të ndjerin Kosta Trebicka. Por ata po përpiqen ta trazojnë në varr, pikërisht se iu duhet të harrojnë një varr të hapur politik para tyre, që është çështja “Fazlliç”.

I ashtuquajturi Kod i Vdekjes është thyer më së pari prej qeverisë. Është thyer prej saj, pasi kryeministri e quajti fillimisht mafioz Kosta Trebickën, vetëm pse ai dokumentoi përfshirjen e djalit në një histori sekseri për tregtinë e armëve. Dhe Kosta Trebicka nuk ishte një biznesmen puritan. Ai u zbua me dhunë nga biznesi i fishekëve, por, kur u bë i rrezikshëm për kryeministrin, me të filloi të bëhet biznes. Gruaja e Trebickës dhe gruaja e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, u bënë ortake në një licencë universiteti që quhet Universiteti Evropian i Turizmit. Po të jem dhe unë paranojak si këta që flasin gjithë ditën për një të vdekur dhe kërkojnë të mos zihen në gojë të vdekurit, mund të ndërtoj teori të tëra konspirative se si qeveria i bleu gruan viktimës, e bëri ortake me gruan e ministrit të Brendshëm, dhe gruaja e tij ishte e para që ngulte këmbë që ishte aksident dhe që s’dyshoi asnjë moment si shumica e shqiptarëve të tjerë. Por kjo është paranojake dhe perverse. E vërteta është se Kosta Trebicka ishte një shqiptar i zakonshëm me vese, që pasi nuk bëri dot biznes, pasi i dolën para njerëz të fortë të lidhur me kryeministrin, gjeti mënyrën u lidh dhe ai bëri biznes tjetër po me njerëzit e qeverisë. Vdekja e tij e komplikon historinë e jetës së tij, por as e ndot dhe as e pastron dot. Ai mbetet ai që ishte. Një njeri që do ishte gati të bënte trafik armësh, por nuk e lanë njerëzit e kryeministrit dhe një njeri që mori po prej kryeministrit një licencë universiteti.

Nëse unë ngrihem tani çdo ditë e të shkruaj në gazetë që Bujar Nishani të japë dorëheqjen, se gruaja e tij ka bërë biznes me një njeri që Berisha e ka quajtur trafikant, natyrisht është teprim. Nëse unë ngrihem tani dhe shkruaj përditë se gruaja e Trebickës nën ndikimin e biznesit me familjen Nishani ka thënë që në fillim se vdekja e Kostës është aksident, është teprim.

Po të mendosh dhe pak më tej se kush janë ata që flasin, e shikon lehtë se janë të gjithë njerëzit më pak të lirë të kabinetit “Berisha”. Flet Aldo Bumçi, për shkak se në vend që t’i raportonte kryeministrit, i raportonte me fakse djalit të tij për Gërdecin, flet Alibeaj, i cili është prova më fizike se të gjitha udhëzimet për legjislacionin famëkeq të Gërdecit janë bërë prej tij si njeri konfident i Berishës, flet Bujar Nishani, që me sa duket Berisha ia përdor këtë ortakëri në biznes me Trebickën si peng, dhe të tjerë tellallë që s’kanë asnjë vlerë. Këta madje janë të njëjtët që guxojnë të futen në luftë dhe me drejtësinë, pse ajo tenton të hetojë për pastrim parash apo evazion fiskal të miqve të familjes së kryeministrit.

Nëse ata vërtet mendojnë se duhet kërkuar falje në emër të fatit tragjik të Kosta Trebickës, duhen t’i kërkojnë falje gruas së tij dhe djalit të tij që çdo ditë dëgjojnë të përmendet emri i babait të tyre, për t’u harruar emri i Fazlliçit. Në emër të Kodit të Vdekjes, nuk mund të zhvarrosen varre të vdekurish për të shpëtuar fate hajdutësh të gjallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›