LAJM I FUNDIT/ Riker: Shpresojmë të shohim respektim të institucioneve të pavarura
Zëvendësndihmës Sekreetari Amerikan i Shtetit, Filip Riker, i cili ka mbërritur sot në Tiranë, ka qenë më i kursyer se Sali Berisha në fjalën e tij përpara mediave pas takimit me kryeministrin. Berisha foli për respektim të institucioneve të pavarura dhe zgjedhje të lira dhe Riker tha se SHBA shpreson të shohë respektim të institucioneve të pavarura. Ai deklaroi se SHBA do monitorojë Shqipërinë dhe theksoi faktin se javët dhe viti në vazhdim janë kritike për Shqipërinë.
Është një nder për mua që jam rikthyer në Shqipëri, veçanërisht në këtë vit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri dhe unë diskutuam për marrëdhëniet e forta dypalëshe. Shqipëria është partner i besueshëm i SHBA. Patëm mundësinë të diskutojmë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe vlerësoj pikëpamjet e kryeministrit për rajonin. SHBA vlerësojnë kontributin e palëkundur të qeverisë për sigurinë rajonale e globale. Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të rajonit. Shpresojmë të shohim përparim të reformave dhe respektim të institucioneve të pavarura. Javët e ardhshme janë kritike për reformat, tha Riker.
