Antikombëtarizmi i pacak ka një emër partiak!
Pamja patologjike e trashëgimisë së sëmundjeve duket se, tashmë, është studiuar gjerësisht. Hyn, pra, në të vërtetat shkencore që kanë marrë një status sigurie. Ajo që mbetet ende relative është trashëgimia e antikombëtarizmit në spektrin politik. Nga stalinizmi janë transmetuar 1000 të këqija. Enverizmi i ka përvetësuar të njëmjëtat. Por, për hir të së vërtetës, mund të thuhet pa mëdyshje se shitjen e interesave kombëtare, shteti ynë i totalitarizmit të E. Hoxhës nuk e ka importuar nga Stalini. Ky, përkundrazi, që përfitoi nga gjefshekllëku i Ruzveldit, mund të quhet si themeluesi i Perandorisë së Kuqe, duke njëmendësuar një për një porositë e Pietrit të Madh. Libri i N. Baciut, tepër kritik ndaj Ruzveldit, i përkthyer nga Shtëpia botuese “55”, e vërteton këtë fakt historik, në bazë të dokumenteve të reja të deklasifikuara, domethënë që kanë mbushur afatin kohor që të çlirohen nga sekreti shtetëror. Këtu nuk bëhet fjalë për respektim interesash kombëtare. Por, për tejkalim brutal të këtyre “interesave”. Flitet për shovinizëm rusomadh. Kësisoj nuk mund të flitet, në një kuptim të ngushtë, për shitje të këtyre interesave.
Ndërsa për Enver Hoxhën mund të bëhet fjalë, pa asnjë dyshim, për shitje të interesave kombëtare. Dy personalitete të larta jugosllave, numri dy dhe tre në hierarkinë pas Titos, e provojnë katërcipërisht këtë të vërtetë. S’ka nevojë të rikujtojmë sërish emrat, se këta i ka nxjerrë edhe R. Alia në kujtimet e tij, pas vdekjes së E. Hoxhës, sigurisht. Stalini e ka pas konsideruar Shqipërinë si plaçkë tregu Kur donte të joshte Titon që të mos dilte nga “Kampi Socialist”, i bëri mareshalit jugosllav, për ta mbajtur në vathë, një propozim skandaloz: “ta gëlltiste Shqipërinë!”. Fjalë që duhet përsëritur: Enveri e gëlltiti këtë poshtërim të atdheut të tij. A mund të përligjet kjo me absurdin marksist se “komunistët s’kanë atdhe”? (Manifesti komunist i Marksit dhe i Engelsit). Ky slogan ishte bërë anakronik, tashmë, siç kishte dëshmuar Stalini, që e bëri “Atdheun” superfuqi!
Duhet thënë edhe se s’është e vetmja tradhti kombëtare e Enverit, për hir të konsolidimit të karriges së tij vetjake. Vasaliteti i Enverit ndaj emisarëve të Titos, i ka të gjitha tiparet e tradhtisë kombëtare, të cilat nuk mund të justifikoheshin assesi nga “parimet” mashtruese të internacionalizmit proletar dhe me sloganet e bashkim-vëllazërimit. Gjithkush që ka njohuritë fillestare sesi përfundoi konferenca e Mukjes, që solli si pasojë luftën civile, e ka të qartë këtë postulat: premtimet e Titos që në Kosovë do të bëhej referendumi nëse Kosova do të bashkohej me shtetin-amë apo jo, i mori era!
***
Tani shtrohet pyetja: po Edi Rama a është një “ex aequo” si Enveri? Më thjesht: A i ngjan qoftëlargut për atë të shkretë karrige, gjer në flijim të interesave kombëtare? Në një varg krahasimesh ndërmjet dy individësh, Enverit dhe Edit, që bëjnë hatanë për atë karrigen e mallkuar vetjake, po citojmë nga Luan Myftiu disa fragmente nga një shkrim i datës 3.07.2011: “Si Enver frikacaku, ashtu edhe E. Rama “misionari”, e duan peng Shqipërinë me qëllim që t’u bëjnë presion botës dhe kundërshtarëve atdhetarë politikë që t’i premtojnë një pushtet që nuk buron nga vullneti i sovranit(...) Ashtu sikurse në atë kohë të gjithë duhej të ishin pjesëmarrës në krimin e madh të diktaturës, sot urdhërohen të gjithë socialistët të jenë “grusht” bashkuar rreth kryetarit, për të penguar integrimin”.
Një fakt tjetër antikombëtar: “Izolimin që i bënte Enveri Shqipërisë, Rama me neobllokmenët e realizojnë duke trembur Europën me eksode biblike të shqiptarëve”. Në përsiatjet e tij të fuqishme, autori ynë i cituar bën fjalë edhe për zgjedhjet, që do të quheshin të pranueshme vetëm me kushtin që të jetë ai fitues! Me që jemi në vijim të krahasimeve, për etalon merren “zgjedhjet” e kohës së Enverit: “Ndërsa komunizmi grabiste sheshit të gjitha votat e shqiptarëve, Rama dhe neobllokmenët e tij nuk pranojnë të numërohet vullneti i lirë i shqiptarëve”.
***
Antikombëtarizmi i PS-së së Edvinit, u bë si një elektroshok tronditës në të gjitha mjediset e komunitetit europian në Bruksel, kur zonja Tanja Fajon bëri të ditur atë e-mail-in e famshëm që kishte marrë nga koordinatori i Ramës. Ishte një dëshmi pafytyrësie vjelljesh kundër Shqipërisë. Velia e dinte më tepër se cilido se ai gjaku që “kishte parë” falsifikatori në çarçafët e klinikës private, ishte një shpifje kundër vendit të vet. Sajuesi i fabulave monstruoze, u përgënjeshtrua nga vetë protagonistja e lemerive, që qenkësh torturuar nga përbindësha demokratë. Këta paskëshin qenë më zi se agucinët e Enverit nëpër hetuesitë, që i kishin prerë me sharrë druri këmbë e duar dom Lazër Shantojës dhe duhej ta tërhiqnin zvarrë, mandej, për ta pushkatuar! Sepse ajo ngjarje, sipas së cilës bashkëshortes, - me barrë në muajin e nëntë, të kryetarit socialist të bashkisë, ia kishin nxjerrë përdhunshëm fëmijën Griseldës, e kishin vrarë fëmijën dhe e kishin hedhur në një kanal, s’ishte parë as në filmat horror! Na doli tragjikomedia kur nuk vonoi asnjë ditë që vetë personazhi “i martirizuar” nuk kishte qenë asfare me barrë dhe “gjaku” nuk ishte veçse një trillim i koordinatorit socialist, i cili nuk mori as mundimin t’ia përgënjeshtronte zonjës Fajon atë broçkullën e tij antikombëtare. Natyrisht njerëzit me gjykim normal e kuptuan vrik se koordinatori i PS-së së Edvinit nuk mund të bënte një gurgulé të tillë pa imzanë e pashait.
Askush nga ata të PS-së nuk kërkoi ndjesë për një përdhosje të tillë të së vërtetës, me sfond açik antikombëtar. Koordinatori thanë se s’do të kishte fytyrë që të dilte përballë shqiptarëve. Vërtet ai ra squk për njëfarë kohe. Por, më së fundi, sipas një të përditshmeje të datës 29 qershor, koordinatori na del në fejsbuk , ku shkruante për “vjedhje votash” dhe... “po na lënë me vetëdije jashtë Europës!”. Kulmi i pafytyrësisë!
Një hokatar fjalësh të thekshme, na foli një ditë në kafe, për kulmin e shpejtësisë, për kulmin e kopracisë, për kulmin e durimit, për kulmin e xhentilecës, për kulmin e delikatesës, për kulmin e provokimit dhe për disa kulme të tjera. Po japim vetëm tri, ato që janë më pak banale: Kulmi i shpejtësisë na qenka ta bësh ujët e hollë në katin e pestë dhe ta presësh me oturak në katin e parë. Kulmi i kopracisë, që ka të bëjë me kursimin për të ngrënë, është kur të ka zënë b... rrjet merimangash. Kulmi i durimit është kur qëron me doreza boksi morrat e (...). Por ai hokatari na thoshte se tani paskemi edhe kulmin e pafytyrësisë!