E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB ka vizion për zhvillimin e Ferizajt

Subjekti politik Lëvizja për Bashkim (LB) e para ka hapur të hënë fushatën parazgjedhore për kryetar të Ferizajt, me ç'rast drejtuesit e saj kanë thënë se programi i kësaj lëvizjeje tashmë është i njohur për qytetarin dhe se kandidati Ramadan Emini është njeriu që ka një vizion të qartë për zhvillimin e komunës së Ferizajt.

Kryetari i LB-së, Avni Klinaku, ka thënë me këtë rast se kandidati Emini është ai që më së shumti i duhet Ferizajt, kur të merret për bazë e kaluara e tij dhe profesionalizmi.

Klinaku ka vënë në dukje se mungesa e kontrollit dhe transparencës si e metë e qeverisjeve aktuale pashmangshëm ka sjell korrupsionin si pengesë për zhvillimin e shoqërisë. Ai ka thënë se kandidati i tyre e ka përkrahjen e plotë të subjektit, ndërsa ka sjell edhe vizionin qeverisës, duke përmendur me këtë rast si risi themelimin e një dhome të veçantë të qytetarëve, që do të jetë në kuadër të Kuvendit, e që do të veprojë si mekanizëm i pavarur, i përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha fshatrave dhe rajoneve të komunës.

Në anën tjetër, kandidati i LB-së për Ferizaj, Ramadan Emini ka thënë se fryma konflikuoze e lansuar që prej pas luftës dhe mungesa e programeve demokratike ka bërë që qytetari të pësoj zhgënjim në partitë politike dhe në qeverisjen e tyre. Ai ka thënë se me të Ferizaj do të ketë një qeverisje ndryshe, transparente e llogaridhënëse, si parakusht për të krijuar bazën më të mirë për zhvillimin ekonomik, duke përmendur edhe disa prioritete.

"Motoja e jonë është t'ia lehtësojmë frymëmarrjen qytetit dhe t'i kthejmë besimin qytetarit tek qeverisja komunale. Do të angazhohemi për një qeverisje funksionale e transparente, dhe mendojmë se komuna mundet dhe duhet të qeveriset pa korrupsion, se administrata komunale duhet të jetë profesionale, se qeveritarët dhe nëpunësit duhet të jenë në shërbim të qytetarit dhe se pasuria e komunës është pasuri e qytetarit dhe duhet t'i shërbej për rritjen e mirëqenës së tij dhe se arsimi, shëndetësia dhe ambienti tu përgjigjen kërkesave të qytetarit", ka thënë Emini, duke u ndalur edhe tek aspektet tjera si infrastruktura, projektet ambientale, projektet gjeneruese etj.

Ky ka qenë takimi i parë publik i këtij subjekti i cili mëton që në të ardhmen të strukturohet edhe më shumë në komunën e Ferizajt. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›