E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB “aplikon” për pasaportë të Shqipërisë

Një delegacion i Lëvizjes për Bashkim, i përbërë nga Valon Murati dhe Kushtrim Sheremeti, u prit nga Andi Xhoi, përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.

Me këtë rast Ambasadës shqiptare iu dorëzuan fletaplikacionet e para për shtetësi shqiptare të plotësuara nga qytetarët e Kosovës në aksionin e Lëvizjes për Bashkim për pajisjen e qytetarëve me pasaporta simbolike shqiptare me moton “Një komb, një pasaportë”, aksion ky i zhvilluar më 28 nëntor 2012, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Valon Murati, Sekretar Organizativ i Lëvizjes për Bashkim, në këtë takim e njoftoi përfaqësuesin e Ambasadës lidhur me aksionin dhe interesimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë dhe njëkohësisht e përshëndeti qëndrimin e djeshëm të Kryeministrit shqiptar lidhur me procedimin në Parlamentin shqiptar të projektligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët.

Nga ana tjetër, Xhoi tha se e ka përcjellë aksionin dhe se e mori përsipër dorëzimin e fletaplikacioneve institucioneve kompetente shqiptare.

Pas pak ditësh Lëvizja për Bashkim do ta vizitojë edhe Parlamentin shqiptar, me ç’rast deputetëve të këtij institucioni do t’ua dorëzojë kartolinat e nënshkruara nga qytetarët e Kosovës si dhuratë për 100-vjetor, e të cilat përmbajnë tekstin e preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në të cilën përcaktohet synimi i shqiptarëve për bashkim kombëtar./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›