LB uron shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit

“28 Nëntori i vitit 1912 nuk ishte thjesht një akt i rastësishëm në një datë të caktuar historike, por vulosje e të arriturave tona si komb në rrugën e vështirë të lirisë të atyre që ishin deri në atë ditë dhe testament për ata që erdhën e vijnë pas saj”, thuhet në urim.
Lëvizja për Bashkim vlerëson se 28 Nëntori, përveç kurorëzimit të përpjekjeve të deriatëhershme për liri shënon edhe fillimin e një rrugëtimi të gjatë për kombin tonë në të cilën jemi duke ecur edhe sot.
“Prandaj, 28 Nëntori përveç gëzimit dhe krenarisë së madhe duhet gjithmonë të na mbajë gjallë edhe ndjenjën e përgjegjësisë për përmbushjen e këtij testamenti. Një ditë e tillë e madhe çdo herë na kujton vlerat e mëdha të kombit tonë, na bën të mos i harrojmë ato sakrifica të panumërta që na sollën lirinë të cilën pjesa më e madhe e kombit e gëzon sot dhe na obligon të punojmë shumë që kjo liri të shtrihet në çdo skaj të atdheut tonë”, përfundon urimi.