E Diel, 1 Nëntor 2026

Baresi: Në Kosovë ka talentë të futbollit

Legjenda e futbollit të Milanit, Franco Baresi për herë të parë ka zbritur në tokën e Kosovës. Njeriu që ka fituar të gjithë titujt e mundshëm me “rosonerët”, është duke vizituar Kosovën, me rastin e fillimit të Milan Junior Kamp, që mbahet për herë të parë në vendin tonë.

Ai të dielën në një konferencë për media, ka thënë se ndihet i lumtur që Milan Junior Kamp, ka nisur edhe në Kosovë.

“Jam i lumtur që unë do të kem rastin që të prezantoj këtë projekt në vendin tuaj. Jam i lumtur që sot jam këtu. Milan Junior Kamp mbahet në katër vende të botës dhe jam i kënaqur që tashmë jemi edhe këtu”, ka thënë Baresi.

Njeriu që ka lënë gjurmë të pashlyer në gjigantin italian, Milan, tha se në Kosovë ka talent të futbollit dhe se ky është një rast i mirë që talentet kosovarë të bëhen pjesë e klubit nga “San Siro”.

“Milan është i interesuar që të zbulojë talent dhe nga ky kamp që mbahet këtu pesë fëmijë nga Kosova, do të kenë rastin të shkojnë në Itali. Jemi të interesuar që nga ky kamp të marrin pjesë fëmijë dhe t’i trajnojmë në Itali. Do të bëjmë të pamundurën të mundshme që këta pesë djem të jenë sa më afër Milanit. Jemi të kënaqur që mbahet ky projekt që është shumë i rëndësishëm për talentët. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, është shprehur Baresi.

Ndërkohë, i kënaqur me kampin që do të mbahet të hënën në Prishtinë, është shprehur edhe Marko Shembri, i cili është pjesë e ekipit të Milan Junior Kamp.

Ai tha se ky kamp është rast i mirë që edhe trajnerët e Kosovës të marrin përvoja nga trajnerët e Milanit.

“Gjithsesi se nga ky kamp edhe trajnerët e futbollit të Kosovës do të kenë mundësi që të marrin përvoja nga trajnerët e Milanit”, tha ai.

Ndryshe, Davide Curti, trajner i këtij kampi, ka thënë se nuk është lehtë të luash në Milan dhe se kjo varet nga talenti të cilin posedojnë lojtarët.

“Përzgjedhja e tyre varet nga talenti. Të luash në Milan nuk është lehtë, por do të shohim talentin e tyre. E rëndësishme është se këta fëmijë në të ardhmen mund të jenë pjesë e Milanit”, ka theksuar Curti. /Kosovapress/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›