LDD: Pavarësia po rrezikohet të komprometohet

Prej se Kosova është shpallur e pavarur, prej pesë vitesh, është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet me probleme dhe sfida të shumta. Lisat e sfidave dhe problemeve akoma mbetet e gjatë, por demokracia e brishtë, mungesa e sundimit të shtetit ligjor, politizimi i skajshëm i institucioneve të pavarura, mungesa e lirisë së mediave përbëjnë thelbin e sfidave të shtetit të Kosovës. Ky ka qenë vlerësimi i LDD-së për gjendjen aktuale dhe zhvillimet politike.
Lulzim Zeneli, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDD), sot gjatë një koherencë për media, ka thënë se mossundimi i ligjit po e pamundëson perspektivën ekonomike të vendit, frymëmarrjen normale të shtetit të Kosovës, shkruan express.
“Në këtë rrafsh, vendi ynë, po e humbë mundësinë që të arrihet një paqe e mirëfilltë sociale dhe si rezultat i tërë kësaj pavarësia e Kosovës po rrezikohet të komprometohet. Ne konsiderojmë se edhe përkundër mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare, konsolidimi i shtetit demokratik vazhdon te mungoj”, ka shtuar Zeneli.
Sa i përket punës së institucioneve të Kosovës, nënkryetari i LDD-së ka theksuar se, “ndërsa mungesa e vullnetit politik dhe institucional që të përballet me probleme të tilla, vetëm se po ndikon në humbjen e besimit qytetar që kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale nëpër të cilën po kalon vendi mund të ndryshoj, përkundrazi ekziston bindja se gjërat në vend, vetëm se mund të përkeqësohen”, ka vlerësuar Zeneli.
Sipas tij në Kosovë, nuk ekzistojnë premisa dhe mjedis ligjor për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të hovshëm.
“Mungesa e politikave zhvillimore përbëjnë boshtin e problemeve gjë që pamundëson krijimin e një ambienti zhvillimor. Politikat sektoriale edhe pas pesë vjetësh pavarësie nuk kanë prodhuar rezultatet e veta, sektori i shëndetësisë, arsimit, i bujqësisë ende mbeten larg standardeve të vendeve të rajonit e mos të flasim për ato ndërkombëtare. Pra, vazhdojnë të mungojnë reformat e mirëfillta sektoriale, ndërsa në ato sektorë që është menduar se ka nisur reforma, praktikisht kemi pas vetëm improvizim”, ka thënë Zeneli.
Për bisedimet e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, nënkryetari Zeneli ka vlerësuar se këto bisedime nuk po japin rezultatet e pritura dhe të synuara, prandaj kemi moszbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani si dhe orvatje të vazhdueshme të qeverisë serbe për bojkot, prolongim dhe shantazh në procesin e negociatave.
Ndërsa, për punën e institucioneve në 5 vitet e Kosovës shtet, Zeneli ka thënë, se këto pesë vite te pavarësisë kanë qenë të mjaftueshme për ta jetuar dhe për tu bindur me realitetin se gjërat nuk ndryshohen vetëvetiu, dhe se ndryshimet nuk vijnë nga jashtë. “Qytetarët e Kosovës, meritojnë zgjedhje të ndershme dhe të lira, meritojnë alternativa politike, meritojnë ngjallje të besimin në institucionet e shtetit”, ka shtuar Zeneli./Indeksonline/