E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Kuvendit paguhet 500 euro në muaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës kompensohet me 500 euro në muaj për drejtim të seancave ndërkohë që në përgjithësi deputetët e vendit kanë paga më të larta se ata në Shqipëri ose Maqedoni.

Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, për çdo muaj merr 500 euro vetëm për drejtim të seancave parlamentare.

Për këtë detyrë, ai u kompensua me 6,000 mijë euro në vitin 2012.

Krasniqi - i cili vitin e kaluar ka deklaruar pasuri të paluajtshme prej 375,000 eurosh dhe një veturë Chevrolet dhuratë - paguhet edhe 2,325 euro në muaj me rrogë të rregullt në pozitën e kryetarit të kuvendit.

Ai merr edhe 5 euro tjera shtesë për çdo ditë pune.

Në Britaninë e Madhe deputetët paguhen me pak më shumë se dyfishin e pagës mesatare në shtet, në Kosovë të ardhurat e deputetëve janë tetë herë më të mëdha se paga mesatare në vend. 

Përveç pagave të rregullta, secili deputet merr 5 euro për çdo ditë pune, 51 deputetë janë kompensuar me 169,972 euro për “shtesa funksionale” dhe 75 deputetë janë kompensuar me 170,560 për mbulim të shpenzimeve të rrugës më 2012.

Në përgjithësi deputetët e Kuvendit të Kosovës paguhen mesatarisht rreth 25 mijë euro në vit. Në këtë llogaritje përfshihen pagat mujore, kompensimet funksionale, shpenzimet e udhëtimeve dhe pagesat ditore për deputetët.

Pagat e tyre janë më të larta se të kolegëve në Shqipëri ose Maqedoni. Sipas një raportimi të 4 dhjetorit nga Balkan Insight, paga mesatare e deputetëve të Maqedonisë, duke përfshirë angazhimin nëpër komisione të ndryshme, arrinte në 1.100 euro ose ishte tri herë më e lartë se paga mesatare në Maqedoni. Në Shqipëri, paga e deputetit arrinte rreth 1050 euro, sipas gazetave Temave dhe Shekulli (shkurt 2012)./gazetajnk/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›