E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD: Qeveria shpenzime të pakontrolluara

Nënkryetarja e LDD-së, Besa Gaxherri vlerësoi sot se kjo tregon se sa i papërgjegjshëm është ky pushtet në raport me paratë e taksapaguesve.

“është për të ardhur keq, kur sot dëgjojmë se të gjitha qeveritë e vendeve të BE-së dhe të rajonit, fokusin kryesorë e kanë në uljen e shpenzimeve deri në minimumin e mundshëm për ato kategori që tek ne njihen si mallra dhe shërbime, Pushteti PDK-LDK përkundrazi sot ka shtuar shpenzimet qeveritare, që nuk mund të quhen ndryshe përpos keqpërdorim me paratë e qytetarëve. Deri në qershor të këtij viti, shpenzimet e udhëtimit, ato për derivate, te telefonisë, të reprezentacionit i tejkalojnë shumat në përmasa shqetësuese në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka deklaruar ajo.

Për të ilustruar këtë nënkryetarja Gaxheri përmendi se për derivate janë shpenzuar rreth 200 mijë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, deri sa në anën tjetër ka pas ulje të çmimeve të derivateve në treg. “Tek pushteti aktual i PDK-së dhe LDK-së, kemi edhe shpenzim të parasë publike për destinacione të panjohura, që as një herë kjo qeverisje nuk ka qenë në gjendje të jap sqarime se për çka bëhet fjalë. Vetëm nën kodin “shpenzimet e tjera” kapin shumën e përgjithshme prej hiç më pak se 18.1 milionë euro, apo rreth 5 milionë euro më shumë sesa që ishin shpenzuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

Ky ritëm i shpenzimeve të pakontrolluar dhe ky nivel i keq qeverisjes është për brengosje të thellë, e aq më shumë kur kemi tendencat e këtij pushteti për të mbuluar keqpërdorimet buxhetore, këtë deficit me shitjen e kompanisë më profitabile në vend PTK, tha nënkryetarja e LDD dhe ripërsëriti qëndrimin e partisë se planet e këtij pushteti PDK-LDK lidhur me shitjen apo më mirë të themi faljen e pasurisë së Kosovës, janë kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe janë në shërbim të grupeve të interesit.

“Ky pushtet me demagogjinë e vazhdueshme po manipulon me opinionin ashtu siç manipuloi me Kuvendin e Kosovës, më mirë të themi me ata 40 deputet nga 120 sa ka kuvendi, e që ky koalicion qeverisës këta deputet i vuri në shërbim të krimit ekonomik. PTK në buxhetin e Kosovës ka derdhur afro 300 milion euro”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›