E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruesit e "Ohrit" nuk do të marrin pjesë në 9-vjetor

Në ceremoninë e organizuar nesër nën patronazhin e sekretariatit qeveritar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, nuk do të marrin pjesë nënshkruesit e saj: Branko Cërvenkovski i LSDM-së, Arben Xhaferi i PDSH-së, Lubço Georgievski i VMRO-DPMNE dhe krerët e PPD-së.

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni, ndërsa nga liderët e partive politike shqiptare do të marrin pjesë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani.

Nga kreu shtetëror pjesëmarrja është konfirmuar nga ana e presidentit Gjorgje Ivanov, kryeparlamentarit Trajko Veljanovski dhe nga shumica e ministrave dhe drejtuesve të institucioneve tjera.

Kori diplomatik do të jetë i pranishëm në këtë ceremoni në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup, ndërsa do të mungojë vetëm ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, për shkak të pushimit të tij vjetor, njofton INA.

Nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) kanë bërë të ditur se lideri i tyre Cërvenkovski është në pushim vjetor në Turqi dhe kjo është arsyeja për mungesën e tij. PDSH-ja dhe krerët e saj vazhdojnë të mos njohin Marrëveshjen e Ohrit, duke e konsideruar si një projekt i dështuar për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Në kuadër të shënimit të nëntë vjetorit të kësaj marrëveshje do të organizohet edhe një tribunë politike me temën “Marrëveshja e Ohrit sot dhe në perspektivë”, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.

Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001 që parandaloi konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni ishte nënshkruar nga ish-presidenti Boris Trajkovski dhe liderët e katër partive: Lubço Georgievski nga VMRO-DPMNE, Branko Cërvenkovski nga LSDM, Arben Xhaferi nga PDSH dhe Imer Imeri nga PPD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›