E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Vdekja e Leka Zogut I, si pasojë e një arresti kardiak

Pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu I ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak të përsëritur. Kështu është shprehur ministri i shëndetësisë Petrit Vasili në një prononcim për mediat duke dhënë detaje mbi vdekjen e tij.

Ministri Vasili sqaroi se gjendja e pretendentit për fronin mbretëror ka qenë e rënduar, por është ndjekur në mënyrë të përkushtuar nga mjekët.

Vasili konfirmoi njëkohësisht se në kohën që Leka Zogu I ka qenë i shtruar në spital është mbajtur me frymëmarrje artificiale, ndërkohë që mëngjesin e sotëm mbylli sytë.

“Gjëndja shëndetësore ishte tepër e rënduar edhe pse ishte duke u ndjekur nga një staf i kualifikuar mjekësh. Pak kohë më parë është çertifikuar edhe akti i vdekjes si pasojë e një arresti kardiak të përsëritur” ka theksuar Vasili.
 

Gjithashtu në lidhje me vdekjen e tij ka reaguar edhe familja mbretërore e cila i ka bërë një falënderim të veçantë ekipit mjekësor nën drejtimin e prof. Mentor Petrela, që janë përkujdesur për shëndetin e Leka Zogut që nga shtrimi i tij në spital.
 

Familja mbretërore theksoi se pretendenti i fronit mbretëror shfaqi komplikacione të premten, të cilat falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, arritën të kalohen por gjendja e tij shëndetësore paraqitej sërish e rëndë.
 

Pretendenti i fronit mbetëror Leka Zogu i Parë ndërroi jetë rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm në moshën 72-vjeçare në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr.5 në Tiranë ku ndodhej i shtruar që prej datës 15 Nëntor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›