Panariti i kërkoi Kinës të njohë pavarësinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, takoi sot ministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Jiechi.
Panariti siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri. Me tej, ai vlerësoi progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.
Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjitikë, në industrinë e minierave, turizmit, në Zonat e Lira me status “Park Industrial” etj., si dhe përkushtimit të qeverisë shqiptare për këto fusha, nëpërmjet të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t’u krijuar tërë lehtësitë investimeve të huaja.
Më pas ministri Panariti përsëriti dëshirën që Republika Popullore e Kinës, duke patur një rol shumë të madh në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme ndërkombëtare, të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të vendeve tona ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri.
Në bisedime u diskutua dhe për bashkëpunimin shumëpalësh, ku me këtë rast u konfirmua mbështetja reciproke në organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu të dy ministrat diskutuan për zhvillimet rajonale dhe globale.