El Clasico nis me Superkupë

Kampioni aktual dhe fituesi i Kupës do ta kërkojnë trofeun e parë të sezonit pas dy përballjeve që do t’i zhvillojnë në mes vete, e para sonte në Camp Nou duke filluar në ora 22:30.
Trajneri Tito Vilanova do ta kërkojë trofeun e parë si trajner kryesor, pasi e nisi sezonin në mënyrë madhështore. Dhe, mënyrë më të mirë se ta mposhtë Jose Mourinhon, i cili vitin e kaluar ia futi gishtin në sy pas një zënke në mes tyre, nuk do të kishte.
Natyrisht, përpos betejës ndërmjet armiqve të përbetuar spanjollë, do të ketë sfidë edhe ndërmjet dy lojtarëve më të mirë në botë: Lionel Messi e Cristiano Ronaldo. Ata janë ndër rivalët më të mëdhenj në histori të futbollit.
Sezonin e kaluar sulmuesi i Real Madridit bëri që peshorja të anonte nga ana e tij. Edhe pse argjentinasi i Barcelonës shënoi 82 gola në sezon kundrejt 69 të portugezit (duke numëruar edhe golat me Kombëtare), Cristiano shënoi golin e fitores së Realit në Camp Nou, gol që vendosi edhe titullin kampion.
Gjithsesi, fitorja e këtij trofeu do të ndikojë më shumë në çmimin “Futbollisti më i mirë i vitit në Evropë”, çmim që jepet nga UEFA. Po ashtu, edhe për ‘Topin e Artë’, që jepet në janar.