E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK: Marrëveshjet me Serbinë prekën elemente të shtetësisë së Kosovës

PRISHTINË-Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se marrëveshjet me Serbinë kanë prekur elemente të shtetësisë së Kosovës.

“Qeveria, nga fillimi i negociatave me Serbinë, e ka ndihmuar këtë të fundit për të shkuar sa më parë drejt BE-së, ndërsa vazhdimisht ka dëmtuar interesat e Kosovës. LDK-ja, nga fillimi, e ka thënë se këto janë negociatat e Serbisë dhe bëhen për interesat e saj”, deklaroi sot partia më e madhe opozitare kosovare.

Sipas vlerësimit të saj, “marrëveshjet e arritura deri më tani janë përshkuar me mungesë të plotë të transparencës nga ana e Qeverisë dhe kanë prekur elemente të shtetësisë së Kosovës”.

LDK thotë se marrëveshja e fundit, e quajtur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, është e papërcaktuar dhe e paqartë.

“Deklarimet e palëve janë kontradiktore, ndërsa teksti i përcaktuar në përmbajtje, në planin e terminologjisë dhe në atë të zbatimit të saj. Marrëveshjes po ashtu i mungon dinamika dhe limitet e fillimit e të përmbylljes së saj. Si e tillë, ajo vetëm sa i ndihmon Serbisë për të arritur qëllimet e veta dhe nuk garantohet me asgjë se kemi të bëjmë me menaxhimin e integruar të kufijve sipas parimeve të BE-së, sepse ato parime vlejnë për shtetet që njihen ndërsjelltas dhe që dakordohen për të bashkëpunuar gjerësisht”, thekson LDK.

Sipas kësaj partie, mostheksimi i kufijve të Republikës së Kosovës si kufij shtetërorë është akt kundërkushtetues, i kundërligjshëm dhe dëmton interesat e Kosovës.
“LDK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës transparencë të plotë pۣër këtë dhe marrëveshjet e tjera. LDK-ja kërkon nga Qeveria që t'i raportojë Kuvendit, ashtu siç e obligon edhe rezoluta dhe të heqë dorë nga deklaratat e paqarta. Çështjet e kësaj natyre janë çështje të Kosovës, të qytetarëve të saj, dhe asesi çështje të një qeverie”, përfundohet në deklaratë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›