LDK: Qeveria po mashtron qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se shkarkimet e inkasantëve dhe stafit teknik në KEK janë bërë me direktiva të Qeverisë Thaçi për të mashtruar opinionin. Këta punëtorë nuk kanë aspak faj për këtë situatë.
“LDK vlerëson se përgjegjësia është tek aksionarët e kësaj ndërmarrje, që është Qeveria e Kosovës. Kjo Qeveri po zhvat qytetarë përmes dhjetëfishimit të tantiemës për thëngjill duke i taksuar dy herë qytetarët”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK ka kërkuar përgjegjësi nga qeveria për këtë neglizhencë ndaj problemeve të qytetarëve.
LDK është e shqetësuar me informatat e fundit që po qarkullojnë se Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) ka konstatuar se privatizimi i distribucionit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me procedurat ligjore.
“LDK kërkon që Qeveria Thaçi të sqaroi para qytetarëve të vendit se mbi çfarë baze arriti të falë distribucionin me vetëm 26 milion euro”, thuhet më tej në komunikatë./Indeksonline/