E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK: Qeveria vazhdon manipulimin me njohjet

Pas njoftimit zyrtar të bërë nga Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli për njohjen nga Republika e Malit dhe falënderimin që i bëri Kryeministri Thaçi autoriteteve të Malit për njohje në Këshillin e Sigurimit, fatkeqësisht ende mbetet e paqartë nëse ky shtet ka njohur apo jo Republikën e Kosovës, kështu thuhet në një reagim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të bërë pas disa lajmeve se Mali nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Edhe pse dy ditë pas njoftimit nga Zv.KM Pacolli, MPJ kishte paraqitur zyrtarisht njohjen nga Mali në webfaqen e saj zyrtare, mirëpo e ka larguar atë gjatë të enjtes. Më vonë të enjten kjo njohje prapë është kthyer në webfaqen zyrtare por është larguar përsëri pas raportimeve të mediave rreth një prononcimi të Presidencës së Malit që e demanton njohjen si dhe njoftimit nga Misioni i Malit në Kombe të Bashkuara që demanton deklaratën e KM Thaçi rreth njohjes nga Mali”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës, sipas kësaj partie, “është një manipulim i ulët me opinionin publik duke i servuar informata konfuze dhe të pakonfirmuara. Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë raportet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit”.

Për më tepër, thuhet në reagim, kjo sjellje dëmton rëndë edhe imazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Kosovës në përgjithësi dhe dëshmon edhe një herë çakordimin e Qeverisë për sa i përket politikës së jashtme të Kosovës.

LDK i bënë thirrje MPJ-së dhe Qeverisë së Kosovës “të ndalë manipulimin e opinionit publik dhe lojën e meritave për njohje duke dëshmuar seriozitet në punë dhe ngritje të kredibilitetit, edhe ashtu të dëmtuar rëndë të politikës së jashtme të Kosovës”.

LDK shprehet se mbetet me shpresë që njohja nga Mali do të konfirmohet se shpejti, por poashtu kërkon nga MPJ që në faqen zyrtare të kësaj Ministrie të pasqyrohet numri i saktë i njohjeve të konfirmuara në përputhje me praktikat diplomatike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›