S’dyshon tek opozita
_26265.jpg)
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të premten se janë në koordinim me spektrin politik, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes të pavarësisë, të kalojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në shtator të këtij viti.
Ai këto komente i bëri të premten në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.
“Ne mund të kemi sukses të plotë, me filozofinë e unitetit politik dhe qytetar, për çka nuk dyshoj në skenën politike kosovare. Tani jemi në koordinim me spektrin politik, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përmbylljen e mbikëqyrjes të pavarësisë, të kalojnë me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, në shtator të këtij viti”, u shpreh Thaçi.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri foli për prezantimin e progresit të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se sukseset e arritura i hapën rrugë përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.
“Ishte një mbështetje e plotë dhe e fuqishme e partnerëve të shtetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, edhe zotimi ynë për të punuar për të ardhmen edhe më fuqishëm për thellimin e reformave në të gjitha drejtimet, për hapjen e agjendës konkrete europiane për Kosovën dhe realizimin e synimit, qëllimit dhe vizionit tonë për anëtarësim në NATO, Bashkim Europian, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha Thaçi.
Në kohën kur por afrohet edhe dita e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, 10 shtatori, kreu i ekzekutivit ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet, duke thënë se agjenda tashmë është duke u shkruar sipas planifikimit.
Kryeministri u shpreh i sigurt se mbikëqyrja e pavarësisë do të përmbyllet me sukses në takimin e radhës të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, duke thënë se pret që gjithë spektri politik të marrë përgjegjësitë që i takojnë, që ky sukses të jetë i të gjithëve.