OSBE gozhdon Policinë
Trupmëdhenj, të fortë e arrogantë. Vetëm shikimi i tyre të fut frikën në palcë, e lëre më të biesh në duart e tyre.
Pa futur këtu edhe “dajakun” që kanë shkrepur, pak a shumë ky është përshkrimi që një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian ua bën pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU.
Më pak se dy orë e gjysmë angazhim i tyre në Gazimestan, me rastin e festës së Vidovdanit, u ka mjaftuar dy vëzhguesve të kësaj organizate të nxjerrin këtë konstatim për forcat më elite të sigurisë në vend.
Në shtatë faqe material, Hjortur Sverrisson, U.D i drejtorit të Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në OSBE, ia përshkruan në detaje hjekat e dy pjesëmarrësve të nacionalitetit serb në këtë ceremoni, kreut të policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit, të cilit atë ditë i ishin plagosur afër 30 policë.
OSBE shprehet e shqetësuar me aksionin, siç e quan, të tepruar, të njësisë speciale të policisë së Kosovës (ROSU), në Gazimestan më 28 qershor të këtij viti.
“Përdorimi i tepruar i forcës në rrahjen e pjesëmarrësve të dëshmuara nga OSBE dhe konfiskimi i gjësendeve si rroba dhe flamuj ka mundur të përbëjë keqtrajtim dhe shkelje të drejtës së të shprehurit, të drejtës së grupimit dhe asaj fetare”, thuhet në raport.
Krejt kjo thuhet se është e bazuar vetëm në atë çfarë kanë parë monitoruesit e OSBE’së me sytë e tyre gjatë festës së Vidovdanit.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)