E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vakia e Malit

Ministria e Jashtme nuk e ka regjistruar Malin si një vend që e ka njohur pavarësinë. Në mediat ndërkombëtare të enjten është publikuar një reagim i autoriteteve të këtij shtetim ku thuhet se nota verbale që është prezantuar në Prishtinë është e falsifikuar. Behgjet Pacolli pohon se ky është një reagim i rrejshëm. As zyrtarët e Malit në OKB nuk kanë mundur të tregojnë nëse vendi i tyre e ka njohur Kosovën.

Njohja e 92’të e proklamuar nga Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është demantuar të premten nga autoritetet e Malit, të cilat kanë thënë se e ‘dënojnë gënjeshtrën se është njohur Kosova’.

Nëpërmjet një deklarate që është publikuar në media, thuhet se Presidenca e Malit nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

"Rrjedhimisht, Presidenca e Malit dëshiron të informojë gjithë komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar se Presidenti nuk ka nënshkruar ende ndonjë dokument që njeh Republikën e Kosovës dhe rezervon të drejtën për të marrë masat e duhura për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e dokumentit të rreme", thuhet në deklaratën e Presidencës së Malit, e botuar në maliweb.net.

Shteti i Malit ndodhet në Afrikë dhe atje aktualisht ekziston një gjendje grusht shteti, me ushtrues së detyrës së Presidentit, Dioncounda Traore.

Shteti i Malit ka qenë në krizë shtetërore prej muajit mars, kur Presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, Amadou Toumani Toure u rrëzua nga pushteti nga njeriu që, sipas Pacollit, ka “nënshkruar” notën verbale për njohjen e Kosovës, Dioncounda Traore.

Ndryshe, njohja nga Mali ende nuk është konfirmuar as nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Në listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën figurojnë vetëm 91 shtete që e kanë pranuar pavarësinë.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›