E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e njohu Mali Kosovën?

Republika e Malit nuk e ka njohur Kosovën.

Kjo është deklarata që ka bërë sot presidenca e Republikës së Malit.

Deklarata është shkruar të enjten në mbrëmje pasi presidenca ka marrë informacionin se një dokument thotë se kjo republikë e ka njohur Kosovën, kurse është kumtuar sot.

“Presidenca dëshiron që në mënyrë kategorike ta mohoj këtë lajm fals i cili tenton ta shkatërroj imazhin e Malit”, thuhet në deklaratë, të cilën e transmeton Global Times.

"Rrjedhimisht, presidenca e Malit dëshiron të informojë gjithë komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar se presidenti nuk ka nënshkruar ende ndonjë dokument që njeh Republikën e Kosovës dhe rezervon të drejtën për të marrë masat e duhura për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e dokumentit të rreme", shkruan në fund të deklaratës.

Të premten e kaluar ishte zv.kryeministri Begjet Pacolli, që ka dhënë lajmin për njohje, ku edhe e ka prezantuar notën verbale të njohjes.

Madje Pacollli prezantoi notën verbale të nënshkruar nga presidenti i Malit, Dioncounda Traore, nëpërmjet të cilës ky shtet renditet në mesin e shteteve që deri më tani kanë njohur Republikën e Kosovës. Por nota verbale duket të jetë falsifikuar në kryeqytetin e Malit ose në atë të Kosovës.

Ndërkohë ka reaguar menjëherë edhe Zyra e Pacollit. Jetlir Zyberaj, këshilltar i zv.kryeministrit Begjet Pacolli ka mohuar për KTV-në raportimet se shteti afrikan Mali nuk e ka njohur Kosovën. Ai ka thënë se këto janë raporte të nxitura nga Serbia dhe miqtë e saj.

Ai tha se për këtë nuk ka dyshime pasi nota verbale është në MPJ. Por në MPJ, raporton KTV janë duke e verifikuar a është notë verbale zyrtare dhe për këtë arsyeje nuk duan ta publikojnë njohjen në uebfaqe. Kjo sipas tyre për të mos pasur dilema sic kishte pasur me Nigerinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›