LDK: Rikthejeni fotografinë e Rugovës në Kuvend

Lidhja Demokratike e Kosovës sërish kërkon të rikthehet fotoja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në sallën e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka deklaruar se ka kërkuar nga Kryesia e këtij institucioni ta rivendosë foton e Rugovës, në vendin ku ka qenë para se kjo sallë të rinovohej.
Beqiri ka përsëritur edhe një herë se ish-presidenti Rugova, i cili ka qenë edhe kryetar i LDK-së, meriton të respektohet nga të gjithë, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se Ligji për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës nuk ndalon vendosjen e fotos së Rugovës në institucionet zyrtare, pavarësisht se sipas këtij ligji obligohen të gjitha institucionet e Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e presidentit aktual. (Telegrafi)