LDK: Të ndalet korrupsioni dhe krimi “në komunat e PDK-së”

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon ndaljen e korrupsionit dhe krimit në komunat e qeverisura nga PDK-ja. Në një komunikatë shtypi, kjo parti thotë se në gjysmën e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, kryetarët janë nën hetime apo në procese gjykimi për afera korruptive dhe kriminale.
Kjo, sipas LDK-së, është shqetësuese për qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur pavarësinë. “Fatkeqësisht, po vërtetohen paralajmërimet e LDK-së se PDK-ja i ka vënë institucionet e shtetit në nivel qendror dhe lokal në shërbim të grupeve kriminale dhe korruptive. Procedimi penal dhe gjykimi i këtyre rasteve është me rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Për LDK-në, shqetësues është fakti se në disa raste hetimet janë zvarritur nën presionin e grupeve të caktuara të lidhura me PDK-në.
LDK-ja bën thirrje që policia, prokuroria dhe gjykatat të kryejnë obligimin e tyre ligjor dhe i fton këto organe të mos bien nën ndikimin e PDK-së dhe grupeve kriminale që kanë për qëllim pasurimin e tyre në kundërshtim me ligjin.
LDK-ja vlerëson se vetëm me një qeverisje me duar të pastra, çfarë mund të ofrojnë ata, vendi mund të ketë perspektivë evropiane. /Indeksonline/