Ankesa të shumta në KEK edhe për faturat e shkurtit

Edhe për muajin shkurt kanë filluar ankesat në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në sportelet e KEK-ut pati qytetarë që ankoheshin për faturat e muajit shkurt, duke i cilësuar ato si shumë të larta.
Zyrtarë të KEK-ut thonë se nuk do të formohet ndonjë komision i veçantë për shqyrtimin e ankesave për muajin shkurt dhe konsiderojnë se faturat pasqyrojnë konsumin real të kilovat- orëve të shpenzuar nga konsumatorët, transmeton KTV.
Ndërkaq, ankesat e muajit shkurt nga KEK-u, do të konsiderohen si raste individuale të konsumatorëve, në faturat e të cilëve kanë ndodhur gabime teknike në lexim ose faturim të konsumatorit.E, këshilli organizativ i protestave, në koordinim me disa organizata joqeveritare, thotë se protestat do të vazhdojnë edhe javën që vjen.
Problemi me faturat e KEK-ut pati filluar në muajin janar të këtij viti, i cili kishte rezultuar si ndër më të shtrenjtit për konsumatorët.
Në shenjë pakënaqësie, qindra qytetarë menjëherë pas marrjes së faturave, protestuan duke bllokuar dyert kryesore të KEK-ut. /Indeksonline/