E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK bojkoton hetimin

Kandidati i Lidhjes Demokratike për Kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi ka deklaruar se komisionarët e partisë së tij nuk do të jenë të pranishëm sot në Qendrën e Numërimit të Votave, ku nis procesi i hetimit të votave të Gjilanit.

Ai mendon se çdo gjë tashmë është e qartë dhe KQZ duhet të urdhërojë rivotim në Gjilan, ashtu sikurse në Prizren dhe Lipjan.

“Asnjë përfaqësues i LDK’së nuk do t’i përgjigjet veprimeve antikushtetuese të KQZ’së. Kurrë hiç nuk do të shkojmë. KQZ’ja duhet t’ia nis mbarë këtij viti dhe ta respektojë Kushtetutën”, ka deklaruar Rexhepi për Express, të martën mbrëma.

KZAP kishte urdhëruar, për shkak të manipulimit të votave, rivotim në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Por KQZ’ja vendosi që rivotim duhet të ketë vetëm në Prizren dhe Lipjan, kurse në Gjilan duhet të ketë hetim dhe rinumërim votash. Ky vendim shtyu Ambasadorin amerikan Christopher Dell t’i bëjë thirrje KQZ’së që ta respektojë vendimin e KZAP’it për rivotim në Gjilan.

Megjithatë, sot KQZ do të nis procesin e hetimit të votave të Gjilanit, e më pas edhe rinumërimit të tyre.

Fatmir Rexhepi beson se kjo është antikushtetuese.

“Unë nuk i njoh proceset antikushtetuese. Mendoj se nuk ka kurrfarë kuptimi kjo që po e bënë KQZ’ja. Ne duhet t’i respektojmë institucionet kushtetuese dhe jo veprimet antiligjore dhe antikushtetuese”, ka thënë ai.

Sipas tij, KQZ s’ka pse bën hetim, duke pasur parasysh se këtë e ka bërë KZAP’i.

“Për mos ta dëmtuar procesin, mendoj se të gjithë duhet ta respektojmë vendimin e KZAP’it dhe KQZ’ja duhet të nis përgatitjet për rivotim në Gjilan. Kjo është puna e KQZ’së, e jo ajo me çka po merret tash”, ka shtuar Rexhepi.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ramë Manaj, në një mënyrë ka mbështetur deklaratat e Fatmir Rexhepit.

“Sonte nuk kemi kurrfarë qëndrimi për këtë çështje. Por z. Rexhepi ka pasur arsye që ka dalë me qëndrime të tilla për çështjen e hetimit të votave. Ne ende nuk e kemi analizuar qëndrimin e tij dhe nesër do të sqarojmë të gjitha”, ka deklaruar Manaj për Express, të martën.

“Mirëpo, çdo qëndrim të ligjshëm ne do ta përkrahim dhe z. Rexhepi ka pasur arsyet e veta që ka dalë më ketë qëndrim. LDK’ja në qendër do të përkrahë çdo qëndrim që është i ligjshëm”, ka shtuar Manaj.

Ndryshe, të martën KQZ ka njoftuar se të mërkurën nis procesi i hetimit dhe rinumërimit të votave të Gjilanit. Mirëpo anëtarët e këtij institucioni nuk kanë mundur të pajtohen rreth pragun të keqpërdorimeve, i cili përcakton përsëritjen ose jo të votimeve.

Pas mbledhjes ku u rivendos për hetimin e votave të Gjilanit, Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lusha tha se pas konsultave me faktorin ndërkombëtar, gjatë ditës së mërkurë do të merret vendimi për pragun e keqpërdorimeve.

“Ky vendim për pragun e keqpërdorimeve duhet të merret shumë shpejt dhe shpresoj gjatë ditës”, ka thënë Lushta.

Sipas zyrtarëve të KQZ’së, janë rreth 123 vendvotime në tërë Komunën e Gjilanit, ku duhet hetohet përputhshmëria e formularëve si dhe të bëhet rinumërimi i votave me kusht. Pas këtij procesi, i cili pritet të zgjasë dy ditë, do të dihet se a do të dalin edhe gjilanasit për herë të tretë në votime apo Kryetari i Komunës do të dihet nga balotazhi i 13 dhjetorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›