E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK në dilema për rezolutën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dilema rreth përkrahjes së rezolutës së PDK’së për bisedimet me Serbinë. Deputeti i PDK’së, Arben Gashi tha se ky propozim është i parakohshëm dhe i paqartë. AAK’ja rikonfirmoi mbështetjen, derisa Vetëvendosja tha se gjithçka po ndodh në kohën kur koalicioni po lëkundet.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka qëndrim rreth draftërezolutës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të propozuar nga PDK’ja dhe partnerët e koalicionit, mbështetur edhe nga partia opozitare AAK.

Zyrtarët e LDK’së thonë se qëndrimin do ta bëjnë të ditur të enjten, në seancën plenare. Ndërkaq, ekspertët kushtetues vlerësojnë se rezoluta duhet të plotësohet me kushte për Serbinë.

Arben Gashi, deputet i LDK’së, tha se në këtë mënyrë Kosova në njëfarë forme po i kërkon falje Serbisë, në vend se të ndodhte e kundërta. Ai tha se LDK’ja është në proces të vendimmarrjes, ndërsa propozimin e quajti të parakohshëm.

“Propozimi është i paqartë dhe i parakohshëm, sepse një propozim për një marrëveshje të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, i njëanshëm, besoj se është i ngutshëm dhe i panevojshëm, sepse në këtë rast Kosova nuk është agresori, por është Serbia dhe duhet t’i propozojë Kosovës një traktat të përmirësimit të marrëdhënieve si rezultat i represioneve dhe gjenocidit që ka bërë në Kosovë”, ka thënë Gashi për Radio Kosovën.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përsëritur edhe të martën qëndrimin e saj përkrahës për rezolutën e sponsoruar nga PDK’ja. Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Haki Shatri, gjatë një konferencë për media, ka thënë se partia e tij do të përkrahë vetëm proceset që janë të dobishme për vendin.

“Unë mendoj që kjo pyetje duhet t’i drejtohet shefi të Grupit Parlamentar. Grupi Parlamentar i diskuton këto çështje dhe ju do të keni rast të shihni cili është pozicioni i Aleancës në Kuvend. Vetëm dua t’ju them se Aleanca nuk është parti që për shkak të pozitës që e ka në opozitë, dëshiron të frenojë proceset, qoftë të mira, qoftë të këqija. Ne i dallojmë proceset dhe ato që janë të dobishme për vendin, ne i përkrahim. Proceset të cilat i konsiderojmë jo të dobishme për vendin, kërkojmë të ndalemi të bisedojmë dhe të gjejmë rrugëzgjidhje”, ka theksuar Shatri.

Por kundërshtuese e ashpër është shfaqur Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se kjo rezolutë është e paligjshme dhe antikushtetuese dhe se vjen në kohën kur Qeveria Thaçi po lëkundet nga zërat e brendshëm kritikë të PDK’së si dhe në kohën kur deputetët e pakënaqur po e lëshojnë koalicionin qeverisës.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për media ka deklaruar se rezoluta e djeshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë po vjen në kohën kur Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka lëkundje brendapërbrenda partisë së tij, por edhe të koalicionit qeverisës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›