Në territorin e kryengritësve

Majid Al Khalaf po shikon fotografi në telefonin e tij mobil. Në ekran shfaqen fotografi të babait të tij. Ai është i gjallë dhe i qeshur. Në videon e radhës, vështirë se njihet: është i shtrirë në një batanije, ku i shihen vetëm këmbët dhe fytyra, i ënjtur dhe i ndotur. Pjesa tjetër e trupit të tij është një skelet i përgjakur.
Abdull Al Khalaf, i cili vdiq në moshën 41 vjeçare, ishte një snajperit i mirë i kryengritësve. Pjesëtarët e ushtrisë siriane e kapën, e vranë dhe trupin e tij e hodhën në një arë, ku ai u hëngër nga qentë. Në atë kohë, kur Khalif u vra, kjo dukuri ishte aq e zakonshme, sa që numri i qenve endacakë filloi të shtohet. Sot jeta është rikthyer jashtë fshatrave të Jabal Al Zavijas, një grumbull prej 33 fshatrave në prefekturën veriore të Idlibit. Fshatarët u desh të fillojnë gjuetinë kundër qenve, për të zvogëluar numrin e tyre.
Rajoni kompleks i Jabal Al Zavijas është shtëpi e Hussein Harmoushit, oficerit të parë të ushtrisë siriane, i cili dezertoi publikisht në vitin 2011 dhe e Riad Al Assadit, figurën kryesuese të Ushtrisë së Lirisë Siriane (FSA).
Mungesa e hierarkisë formale në radhët e FSA-së është tejet e dukshme në këtë rajon, pasi që qytetarëve të rajonit ju lejohet që të organizojnë kryengritjen në mënyrë lokale dhe që përgjigjen ushtarake të ja përshtatin rajonit të tyre. Edhe përkundër faktit se kryengritësit në Jabal Al Zavija e njohin shtabin e përgjithshëm, që vepron mbi ta dhe përkundër faktit se veprojnë nën ombrellën e FSA-së, këto grupe gjysmë-autonome të luftëtarëve janë të organizuara përgjatë vijave të fshatrave dhe vijave klanore. Kjo ju jep atyre disa epërsi: ata kanë rrjete natyrore për tubimin e informatave dhe e njohin terrenin më mirë se askush tjetër.
Tani, Khalaf duhet të mbështetet në këtë rrjet, për t’iu bashkuar betejës. Khalaf dëshiron të blejë një armë dhe atë sa më shpejtë që është e mundur. Ai do të duhet të luftojë në veri, ku ai së fundi është integruar në një grup të kryengritësve, komandanti i së cilit është një banor nga Jabal Al Zavija.
Kryengritja në Siri, e cila ka filluar para 19 muajve, ka ngulitur një numër të miteve të popullarizuara në kokat e meshkujve, të cilët kanë njohuri të kufizuara për armët. Dhe këto mite tani janë një element i rëndësishëm në tregun e armëve.
“60 për qind e armëve tona vijnë nga depot e ushtrisë. Pjesa tjetër na është dhënë nga shtetet e ndryshme, apo është blerë nga kontrabanduesit. Nganjëherë ne armët i blejmë edhe nga elementet miqësore në radhët e ushtrisë”, thotë Khalaf.
Edhe armët nga luftërat e kaluara e kanë gjetur rrugën e tyre deri në Siri. Duke prezantuar një armë standarde të NATO-s, të prodhimit belg, Khalaf thotë:”Këto armë na ka dhënë Libia. Kushtojnë nga 2 mijë dollarë copa, apo edhe më shumë”.
Rreth 3500 banorë të Iblenit janë pjesëtarë të klanit Khalaf. Pjesa tjetër e banorëve janë të ndarë mes katër familjeve më të vogla. Pjesëtarët e klanit janë bërë më të afërt për shkak të luftës: ata ndajnë historitë dhe tragjeditë e tyre, si dhe njohuritë, hierakinë dhe dinamikën e tyre.
Khalaf dhe disa pjesëtarë të familjes së tij janë pjesëtarë të brigades Ahrar Ibleen. Ky grup, i përbërë nga 108 pjesëtarë, është pjesë e rrjetit me të gjerë luftarak, nën komandën e Jamal Maroufit, grupi i të cilit, “Martirët e Sirisë”, është aktiv në tërë rajonin e Jabal Al Zavijas dhe përtej. Bëhet fjalë për zdrukthëtarë, ndërtimtarë, bujq, pronarë të dyqaneve.
Duke shfrytëzuar lidhjet e tyre në rajon dhe njohuritë për terrenin, kryengritësit ja kanë arritur që të nxjerrin jashtë kontrollit të forcave të Baschar Al Assadit një rajon në Jabal Al Zavija.
“Pas nëntë muajve okupim, qyteti i Kafr Nablit u çlirua në gusht. Banorët e Ibleenit shkuan për të luftuar atje”, shpjegon Khalaf. Beteja zgjati pesë ditë dhe la prapa shkatërrime të mëdha në qytet.
Pasi që humbi betejën në Kafr Nabl, ushtria u tërhoq nga qytetet e Jabal Al Zavijas. Ushtria e Assadit ende kontrollon rrugën që lidh Damaskun me Aleppon, nga ku sulmon me artileri qytetet në rajon.
“Ne nuk jemi të armatosur si duhet, nuk kemi asgjë. Por megjithatë, vullneti ynë për të mposhtur ushtrinë e Assadit dhe për t’u çliruar një herë e përgjithmonë, është i patundur”, përfundon Khalaf.