LDK shpalos vizionin e saj për integrimet evropiane
LDK po ashtu mendon se është e domosdoshme të bëhet fuqizimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbikëqyrjen e politikës së jashtme, në veçanti përmes ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Vjosa Osmani, anëtare e Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke folur për integrimet evropiane ka vënë në pah mangësitë e shumta të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me ç’rast ka thënë se si pasojë e këtyre politikave, Kosova kohët e fundit po ballafaqohet me një sërë sfidash në këtë fushë, siç janë, rëniet drastike të investimeve të huaja në Kosovë, ngecjet në procesin e njohjeve dhe në veçanti ngecjet në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Ne mendojmë se mungesa e prioriteteve në fushën e politikës së jashtme dhe ndryshimi i këtyre prioriteteve në baza ditore që përbëhet nga aktorët e politikës së jashtme në Kosovë ka dëmtuar suksesin potencial që Kosova ka mund të arrijë në këtë fushë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar strategjik. Përveç kësaj, mendojmë që duhet të bëhet fuqizimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbikëqyrjen e politikës së jashtme, në veçanti përmes ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat lidhen nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës që është edhe kërkesë kushtetuese”, ka thënë ajo.
Për proceset integruese foli Arben Abrashi, i cili theksoi se procesi i integrimeve të tanishme sipas LDK-së, ka stagnuar në nivel deklarativ. Sipas tij, LDK-ja mendon se qeveria, duhet të ndërmarrë disa veprime shumë të shpejta dhe në periudhë shumë të shkurtër, të cilat do të ridefinonin qasjen ndaj Brukselit në kuptimin e përmbushjes së reformave të brendshme.
“Si pikë kryesore që LDK-ja parasheh se ridefinimi i një strategjie kombëtare për integrim evropian. Kjo strategji kombëtare për integrim evropian do të nënkupton harmonizimin e planit qeveritar, harmonizimin e kornizës afatmesme dhe harmonizimin e kritereve dhe detyrimeve të BE-së me një dokument të përbashkët, i cili do të jepte një udhëzim më të lehtë për integrime evropiane dhe do të parashihte edhe obligimet buxhetore për secilën organizatë e cila do të kishte për detyrë t’i përmbushte këto obligime”, ka thënë ai.
Duke folur për vizionin e LDK-së në fushën e integrimeve evropiane, Abrashi ka thënë se mbrojtja e interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, nëpërmjet anëtarësimit dhe pjesëmarrjes së institucioneve të Kosovës në organizatat politike dhe financiare ndërkombëtare, si dhe në forumet e tjera të rëndësishme, paraqesin themelin e vizionit të politikës së jashtme të LDK-së.
Kjo frymë, sipas tij, është vazhdimësi e politikës më se 20 vjeçare të LDK-së për afirmimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në planin ndërkombëtar. Promovimi i interesave politike dhe ekonomike të Kosovës, paraqesin përkushtimet e LDK-së për një imazh të ri ndërkombëtar të Kosovës, ka shtuar ai.
Pjesëmarrja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizma shumëpalësh mbetet prioritet për LDK-në. Anëtarësimi në organizata politike, ekonomike, kulturore, sportive, të sigurisë, etj., sipas drejtueseve të saj, është synim i rëndësishëm i politikës së jashtme të LDK-së dhe se sipas tyre, kjo do të mundësojë afirmimin dhe njohjen e Kosovës si subjekt sovran ndërkombëtar dhe përafrimin me përvojat ndërkombëtare.