Krasniqi rikonfirmon mirënjohjen për Zvicrën

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, së bashku me një delegacion të përbërë nga deputetë të spektrit politik kosovar, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Zvicër.
Në orët e pasdites delegacionit nga Kosova të shoqëruar edhe nga ambasadori Naim Malaj i janë rezervuar dy pritje. Së pari atë e ka pritur në pallatin e Federatës, në Bernë, pas këtij takimi, delegacionit të prirë nga kryeparlamentari Krasniqi i është organizuar një pritje kortezie nga kryetari i Bernës, Tschäpat. Në një atmosferë të lirë dhe miqësore, njeriu i parë i kryeqytetit e ka njoftuar të parin e ligjvënësve kosovarë me qytetin e Bernës. Me këtë rast ai, përmes rrëfimit në një atmosferë joformale ka njohur mysafirët me gjithë atë që e bën Bernën qytet specifik, raporton portali Albinfo.ch.
Kryekuvendari i Kosovës në ka folur në superlativ për Bernën dhe për Zvicrën, duke e cilësuar atë si shtet model të cilin e ndjek si shembull jo vetëm Kosova. Zvicra si shteti me demokracinë më të drejtpërdrejtë në Evropë dhe më gjerë është synimi legjitim i shteteve si Kosova.
Krasniqi po kështu ka falënderuar Zvicrën e cila ka qenë e para që ka përkrahur të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe pastaj, pas 17 shkurtit 2008, një ndër vendet e para që kanë njohur Kosovën.
Nesër, kryetari i Parlamentit të Kosovës takohet zyrtarisht me homologun e tij, kryetarin e Parlamentit të Zvicrës, Walter. Ai do të ketë po ashtu edhe takime tjera me personalitete të rëndësishme të politikës zvicerane.