E Diel, 1 Nëntor 2026

Një zë vjen nga thellësi e shekujve: faleminderit që po ndërtoni rrugë e po e bashkoni kombin!

17-06-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Dita e diel u bë ditë feste për shqiptarët, jo se ditët e tjera nuk mund të jenë të tilla, por këtë ditë festa është më e madhe pasi që u hap tuneli i Krrabës që bashkon Elbasanin me Tiranën, por që bashkon edhe veriun me jugun, bashkon vëllain me vëlla, motrën me motrën, bashkon familjet me familjet, bashkon dhe afron gjithë kombin shqiptar. Dhe vërtet kjo ditë është e veçantë, sepse të bashkosh kombin, ta afrosh atë, do të thotë ta forcosh atë më shumë, ta zhvillosh atë dhe ta bësh të barabartë, të denjë dhe krenar për veten dhe për brezat që kanë shkuar dhe për të tjerë që do vijnë. Historia përmendet edhe për rrugën “Via Egnatia”, ashtu siç përmendet për gjithë rrugët që janë hapur gjatë tërë shekujve dhe mijëvjeçarëve të shkuar, sepse rrugët bëjnë histori, sepse rrugët janë vetë histori. Prandaj, dita e diel e 16 qershorit 2013, është një ditë-histori, sepse u hap një tunel-histori, u hap një rrugë-histori, u hap një rrugë që do bëjë histori, sepse me këtë rrugë afrimi i kombit do të jetë më i madh, më i shpejtë dhe më komod, e me këtë, edhe qarkullimi i njerëzve në përgjithësi, i mallrave dhe vlerave të tjera kombëtare. Dhe historia trokiti fuqishëm, duke falenderuar për realizimin e amanetit të brezave që nuk janë më: faleminderit që po bashkoni shqiptarët! Faleminderit që po realizoni ëndrrat tona për të parë kombin bashkë! Dhe duket sikur po flet edhe Aqif Pashë Elbasani, sikur po flet Aleksandër Xhuvani, sikur po flet Themistokli Gërmenji, sikur po flasin vëllezërit Frashëri, sikur po flet Dhaskal Thodri, të cilit nuk i duhet më të endet bjeshkëve për të bartur shkronjat e prarueme të gjuhës shqipe, por do ta ketë rrugën e shtruar dhe tunelin e hapur, sikur po flet Theodor Haxhifilipi, sikur po flet Petro Nini Luarasi, sikur po flet Ymer Prizreni, sikur po flet Sulejman Vokshi, sikur po flet Haxhi Zeka, sikur po flet Ismail Qemali, sikur po flet i madhi, më i madhi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, i cili do ta ketë më lehtë t’i thërrasë princat shqiptarë në një Kuvend bashkimi e falenderimi. Dhe kjo është historia që po troket, sepse tuneli i Krrabës dhe autostrada Tiranë – Elbasan është kyçi më i rëndësishëm që lidh, ose që do lidhë rrugët kryesore të territoreve shqiptare, nëpërmjet të të cilave do të bashkohet edhe më shumë kombi shqiptar. Dhe pastaj të gjithë do të thërrasim: O sa mirë të jesh shqiptar, o hej!, sepse pas shekujsh pushtimesh, pas shekujsh ndarjesh e copëtimesh, shqiptarët, nuk do kenë nevojë të thurin këngë për rinjohjen e vëllait me vëllanë, ashtu siç këndohej dikur në epikën e lavdishme, por edhe tragjike shqiptare, sepse rinjohja e vëllait me vëllanë, nuk do të jetë më vetëm një ëndërr e shprehur nëpër vargje poetësh, apo edhe rapsodësh që kanë lindur dhe kanë shkuar nga kjo botë, me një dëshirë: të bashkojmë shqiptarët e copëtuar nga hasmit dhe miqtë e tyre. Dhe bashkimi tashmë ka filluar me rënien e regjimit të ngulitur nga ata që na deshën të ndarë, të përçarë dhe të copëtuar, e pse jo edhe të hasmëruar me njëri-tjetrin, u vazhdua me ndërtimin e rrugës së kombit, dhe ja tash, këtë të diel të 16 qershorit 2013, u hodh një hap të madh dhe historik: ndërtimi i rrugës që do të lidhë të gjitha rrugët, hapja e tunelit që do të hedhë dritë në gjithë errësirën që na ka mbajtur në terr, që na ka bërë të mos e shohim njëri-tjetrin në sy, që të mos shohim se përtej shkëlqimit të rrejshëm të idhulltarive të të huajve, fshihet mashtrimi dhe dëshira për të mos na parë bashkë. Dhe kjo dritë tuneli që ka shkëlqimin dhe dritën më të bukur, sepse është dritë e nënqiellit shqiptar, është dritë e shkrepëtimave të zemrave të brezave të shkuar që me pendë, me punë, me shpatë e me pushkë, u munduan ta shqyejnë errësirën që na e kishin vënë të huajt, pushtuesit, dhe si e tillë, është dritë që vjen nga shekujt, për të bërë më të bardhë këtë ditë, këtë kohë. Dhe si të mos galdohen zemrat e gjithë atyre brezave që aq shumë sakrifikuan për të parë popullin e tyre, kombin e tyre të bashkuar? Si të mos kenë dëshirë të ishin të pranishëm edhe ata afër tunelit dhe të bëhen pjesë të gëzimit të shqiptarëve, apo edhe për t’u dhënë kuajve të tyre revan nëpër tunel dhe nëpër rrugë për të parë sesa mirë dhe sa shpejt mund të përshkohen distancat, për të parë sesi afrohen pjesët e ndryshme të territoreve shqiptare dhe të kombit shqiptar? Dhe kjo është historia që thërret brezat e shkuar për të parë se çfarë po bëjnë brezat e sotëm, kurse brezat e sotëm i thërret për të parë përpara drejt së ardhmes, sepse breza të tjerë do vijnë dhe do kujtojnë me respekt edhe rrugët, edhe tunelet, edhe fushat, edhe malet, edhe arat e mbjella, edhe uzinat e mëdha, edhe gjithë atë gjallëri që sjellin rrugët.
 E rrugët nuk mundësojnë që të plotësohet vetëm një dëshirë e brezave të shkuar, e që është bashkimi i shqiptarëve, por edhe shumë dëshira të tjera: që shqiptarët të kenë mirëqenie, të kenë zhvillim urban, ekonomik, social dhe dëshira të tjera që nuk patën mundësi t’i realizonin vetë. Dhe e diela e 16 qershorit 2013, në histori do të shënohet si dita kur iu dha një shtytje shumë e madhe zhvillimit ekonomik, sepse nëpërmjet tunelit të Krrabës dhe autostradës Tiranë - Elbasan, do të jetë më e lehtë për të gjithë që të mund të investojnë në arat e tyre, në malet e tyre, në lumenjtë  e tyre,  e pse jo edhe në detet e tyre, ashtu siç është më lehtë t’u thuash edhe të tjerëve: Ejani të investoni te ne, se e keni shumë të lehtë të realizoni investimet tuaja, sepse tashmë i kemi rrugët që të çojnë në çdo skaj të shqiptarisë. Dhe sa më të mëdha dhe sa më të shumta investimet, aq më të shumta vendet e punës, aq më të shumta të ardhurat e shqiptarëve, aq më shumë pasuri, mirëqenie dhe zhvillim. Dhe rrugët, pra sjellin jo vetëm bashkimin e shqiptarëve, por edhe pasurimin e tyre, mirëqenien e tyre, ashtu siç sjellin edhe zhvillimin tërësor të shtetit dhe të kombit shqiptar. Dhe tuneli i Krrabës, si dhe autostrada Tiranë – Elbasan në gjithë këto aspekte të rëndësishme për bashkimin e shqiptarëve, të zhvillimit ekonomik, social e tj., kanë një vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Prandaj, janë histori, janë bashkim, janë zhvillim, janë përparim dhe ofrojnë mundësi të mëdha për të ecur përpara drejt të arriturave të tjera që mund t’i arrijë kaq vendosmërisht, kaq shpejt dhe kaq mrekullisht vetëm një vullnet i fuqishëm, i paparë e një kombi që do bashkimin, që do mirëqenien dhe që do të çojë përpara gjithë proceset pozitive që me të tjerët do na bashkojnë në Perëndim si një komb krenar, i dinjitetshëm, me inegritet dhe me vlera të mëdha kombëtare dhe universale. Ky është ai vullneti i madh i kombit shqiptar për të vënë në funksion të së mirës së vet dhe të përgjithshme, gjithë ato energji që janë ndrydhur shekuj me radhë, ose që janë shfrytëzuar dhunshëm nga pushtues të ndryshëm, e të cilat energji bënë që të vënë në sprovë gjithë ata që nuk e besuan kurrë se do të mund të realizohej një tunel i këtillë dhe një autostradë e mrekullueshme me një dinamikë kaq të shpejtë dhe në një kohë kaq të shkurtër, por edhe për të nxirë fytyrën e atyre që me paturpësinë e tyre kërcënuan se do i mbyllin tunelet dhe do e riizolojnë, do e rindajnë edhe njëherë kombin shqiptar. Është e qartë se një ditë historike si kjo e diel e 16 qershorit 2013, nuk duhet të përlyhet me emrat e tyre, sepse do të vijë një ditë që emri i tyre i përbashkët do të jetë vetëm Nemo, sikurse te romani “Njëzetmijë lega nën det”, të Zhyl Vernit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›