E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtim historik, Tirana u bashkua me Elbasanin

17-06-2013 / Nga Adrian Roshniku

Përurimi i autostradës Tiranë-Elbasan me tunel nën malin e Kërrabës, një ëndërr kjo e kahershme e shqiptarëve, u prit me entuziazëm nga qytetarët e Elbasanit e bashkatdhetarët brenda e jashtë vendit. Kjo rrugë është një tjetër arritje me vlera historike  dhe ekonomike e Qeverisë Berisha. Ata që kanë ndjekur rregullisht seancat parlamentare, nuk do të harrojnë largimet prej burracakësh e deputeteve të opozitës nga salla e Kuvendit, sidomos qëndrimin e paturpshëm të deputetëve socialist të Elbasanit të cilët zbatuan  qorrazi çdo urdhër të mbrapsht të kryetarit Rama. Po ashtu hedhin poshtë deklaratat në televizion të Çuçëve të programit zero të PS, pinjollë të atyre që përgjakën Shqipërinë 50 vjet me radhë, të cilët pa pike turpi mohonin gjithçka nga arritjet e Qeverisë Berisha. Në ekranet e këtij emisioni na shfaqen shpesh në sfondin e reve mbi male, edhe fytyra të zymta, me mjekër e mustaqe të cilët si Kasandra të pështira lajmërojnë me zë të mbytur se shqiptarët nga Kosova nuk do të vijnë më, se ajri qenka ndotur nga fabrikat fason. Ndërkohë nëpër Rrugën e Kombit vargu i autobusëve me turistë shqiptarë nga Prishtina, nxiton drejt Tiranës e Bregdetit me flamurin kombëtar.   
Çdo shqiptar kujton me trishtim një kohë kur gjithë ëndrrat e dëshirat humbnin në mjegullën e harresës, ashtu siç u mbytën zërat e inxhinierëve patriotë nga byroistët si Spiro Koleka për shkurtimin e distancës Tiranë- Elbasan me anën e një tuneli në Krrabë, me leverdi ekonomike për zonat jugore të vendit. Kasta e rrezikshme e grumbulluar në strofullën me emrin Byroja Politike e KQ të PPSSH, përkundrazi urdhëroi të ndërtoheshin burgje e kampe të panumërt, të ngriheshin fabrika pa të ardhme, pa lëndë të para, pa eksport, të hapeshin në male tunele qorrsokake ushatarake dhe të rrethohej vendi ynë i bukur me bunkerë e tela me gjemba. Këto veprime të papara ndonjëherë në historinë e atdheut tonë sollën rrënimin e ekonomisë në tërësi e varfërimin e popullit shqiptar. dhe së fundi shembjen e pashmangshme tè sistemit socialist.  
Dokumentet e librat tregojnë se fill pas vendosjes së ashtuquajturit pushtet popullor, apo shpalljes së Republikë Popullore të Shqipërisë, u vu re pakësimi i frikshme, jashtë çdo parashikimi i qarkullimit rrugor. Autoveturat private, taksitë dhe autobusët e kompanive vendase apo të huaja u shtetëzuan. Në vitet e para ato vazhduan të qarkullonin nëpër rrugët ekzistuese që lidhnin qytetet kryesore, deri sa për mungesë pjesësh ndërrimi dolën jashtë përdorimit. Në orë të ndryshme apo me raste, qarkullonin vetëm kamionët e shtetit, ish pronë private, që mbartnin udhëtarë të ulur shesh në karroceri tok me materialet e ndërtimit, mallrat e ish-tregtarëve, prodhimet bujqësore të grumbulluara pas shlyerjes së detyrimeve të rënda nga fshatarët, një pjesë e mirë e të cilave shkonin drejt Beogradit të uritur. Ndryshe nga koha e luftës numri i makinave të transportit për udhëtarë u ul dukshëm, edhe për shkaqe të çuditshme, bie fjala autobuzët dhe kamionët  e markave italiane e gjermane, Fiat, OEM, Berlier-Diesel, megjithëse ishin në gjendje teknike të mirë u hoqën nga qarkullimi e u ngujuan në parqe për t’u ndryshkur, sepse i përkisninin kohës së nazi-fashizmit. Për çlirimin nga ky ngërç ndihmuan karrocat me goma të tërhequr nga kuajt, të cilat përballuan lidhjen ndërmjet qyteteve. Mbi to zinin vend  rreth njëzetë vetë,  burra e gra, disa të ngjeshur shpinë më shpinë, disa sup më sup, me këmbët varur prapa e anash. Nga fshati në fshat vazhdoi tradita me kafshë, deri sa edhe këto ranë në dorën e drejtorëve të fermave shtetërore dhe kryetarëve të kooperativave të zgjeruara të ngjashme me të parat, ndaj shpesh herë fshatarët merrnin udhën më këmbë me hejbet hedhur në shpinë, ashtu si në filmin e Kiço Blushit “Beni ecën vetë”. Dukej sikur shekulli njëzetë, qe kthyer mbrapsht drejt kohës së gurit. Më i lumtur ishte ai që kishte një pasuri të rrallë, biçikletën, me të cilën pedalonte i qetë nga Tirana në Vorë, Shijak, Durrës e Kavajë, në raste jo të rralla deri në Berat. Disa nga Tirana orvateshin të kalonin Qafën e Krrabës për në Elbasan. Shkodranët ua kalonin të gjithëve teksa niseshin në grupe drejt Lezhës, Tiranës e Durrësit. Në rrugët nga veriu në jug qarkullonin vetëm autovetura zyrtare, kamiona ushtarakë dhe motoçikleta të policisë. Në raste të veçanta anës rrugëve dilnin policët në pritje të kalimit  të autokolonës së veturave me shefat e lartë të partisë dhe të shtetit që nisej nga Tirana ose kthehej nga vilat bregdetare apo malore, pas kacafytjeve në plenume, konferenca e kongrese të partisë.
Kur përfunduan aksionet për ndërtimin e hekurudhës me të burgosur e vullnetare të rinisë, shumica në kohë pushimesh shkollore, Tiranë, Pogradec, Vlorë e Shkodër, u ndie një farë lehtësimi, sidomos për banorët pranë stacioneve. Për ata që udhëtonin më larg vijonte ritmi i mëparshëm i qarkullimit siç u tha më lart..Për të vazhduar udhën më tej nga Tirana në drejtim të  Elbasanit  apo për në Lushnjë, Fier e Vlorë, si zakonisht në stacionet e shumtë udhëtarët prisnin të shqetësuar ardhjen e kamionëve dhe të karrocave. Në këto ndalesa, sidomos në Rogozhinë, në pritje të trenit apo automjeteve shpesh udhëtarët kalonin natën nën yje ose shtyheshin në radhë për bileta me kala dibrançe. Disa niseshin më këmbë drejt Peqinit ose drejt Lushnjës. Më tej këto skena përsëriteshin në Lushnjë e Fier. Koha e lëvizjes se trenave ishte me gjatë në krahasim me automjetet për shkak të ndalesave të shumta nëpër stacione. Për të mbërritur deri në shtëpi kalonin mbi dy ditë.Transporti hekurudhor ndërkohë pengoi lëvizjen e shpejtë të makinave të furnizimit, sepse sipas vendimeve qesharake, shumica e mallrave duhej të depozitohej në stacione pastaj të ngarkohej në trena. Ndaj për shkak të ngarkim- shkarkimeve të kota, mallrat vonoheshin ditë të tëra duke mos mbërritur në kohën e vendin e duhur. Të lira nga këto pengesat aty nga mbarimi i viteve gjashtëdhjetë u shfaqën kamionët maune të Transship-it, që dërgonin  jashtë kufirit “veprat”  e diktatorit E.Hoxha tok me qingjat, pulat, peshkun, djathin, gjalpin, vajin, arrat, gështenjat, mollët, rrushin, sharqinjtë, domatet, agrumet, duke zbrazur kështu jashtë çdo norme dyqanet ushqimore të tregtisë me tallona  Ndaj dëgjohej poshtë e lartë: “Kuadrot ndër ministrira,/ për Agron  thurin  plane të  mbërdhira/  për domate mos prisni kot,/ janë për mauna, janë për eksport”. Përbindëshi parti-shtet kishte gllabërruar tërë artikujt  ushqimore të cilësisë së lartë. Valuta e mbledhur nga kjo tregëti e shthurur depozitohej në bankat e huaja, për nevojat e udhëheqjes, për shëndetin e mirëqenien e saj; për rrjetin e spiunazhit dhe parazitët e partive marksiste leniniste në botë. Në vitet tetëdhjetë gjatë bregdetit  u panë disa autobusë të markës Fiat, për miqtë e ftuar nga partia, për turistët marksiste-lenistë dhe për zyrtarët e shtetit me autorizim të posaçme nga Ministria e Trasporteve. Autoveturat shtetërore të quajtura “pronë e popullit” vazhdonin lëvizjen e shpejtë si më parë vetëm për kuadrot kryesore të partisë dhe të administratave në qendër e në rrethe me shërbime zyrtare, duke u rehatuar në hotele turistike, prona të shtetit apo siç thuhej në gazeta “pasuri e popullit.” Për kryeagronomët nëpër ferma e kooperativa fushore u shpërndanë vetëm mototoçikleta të markës “Java”. Të vetmet automjete transporti që i rezistuan kohës ishin kamionët Skoda të përqendruar në parqet  e shtetit, që haseshin, udhës mbi humnera e kreshta, me udhëtarë, mineral  kromi, gurë, trupa pyjesh duke kaluar qafat e grykat e frikshme, si Qafë Mali, Qafë Muhurr, Qafa e Krrabës Qafa e Gllavës, Qafë e Salarisë, e shumë të tjera. Sado shoferët në përgjithësi qenë profesionistë, shumica me përvojë, aksidentet në ato rrugë të ngushta ushtarake, teksa ngjiteshin e zbrisnin nga malet ishin të pashmangëshme për shkaqe nga më të ndryshmet. Shtypi nuk jepte asnjë njoftim për to. Vetëm aty nga mesi i viteve gjashtëdhjetë në rrugët kryesore u dukën disa autobuzë të markës “Viberti” dhe “Ikarus”, të cilët më vonë u zëvendësuan nga autobusët
të famshëm “fisarmonika” të montuar mbi shasitë e akset e kamionëve me motor çek të markës Skoda. Megjithatë problemi i transportit nuk u zgjidh. Policia rrugore kryente shërbimin pa shumë probleme nëpër ato rrugë të shkreta, duke kaluar kohën në  kafene  ose në shtëpitë afër, sidomos kur piqej rrushi apo fiku. Kjo ishte në përgjithësi pamja e mjeteve të transportit që lëviznin nëpër rrugë e ura, pjesa më madhe e ndërtuar para e gjatë luftës.
Seç ndodh sot me qarkullimin rrugor është e tepërt të tregohet. Edhe fermeri më i largët nga Tirana mund të rrëfejë më me hollësi për markat e autoveturave e autobusëve të shumtë turistikë, për mjetet e rënda të transportit, për autostradat e rrugët e reja të ndërtuara gjatë viteve të Qeverisë Demokratike me doktor Sali Berishën në krye. Nuk flitet më për zona të thella, bie fjala kur më 1952, diku përtej Milotit, në fshatin e harruar nga bota me emrin Vablinë disa nxënës teksa punonin si skllevër për hapjen e rrugës plot  kthesa drejt Ulzës buzë lumit Mat, u befasuan nga tri gra të reja që dolën nga pylli, ndaluan pranë tyre e pyetën: “Hej çuna! Me Zogun e parë jeni a?”
Ngjarje që do të shënohen me shkronja të arta në faqet e historisë për transportin shqiptar janë Rruga e Kombit me ura e tunele, që bashkon dy shtetet e kombit shqiptar; Rruga e Arbrit nga Tirana drejt Dibrës, Rrugët fushore drejt Shkodrës, Fierit e Vlorës, në male nga Tepelena në Gjirokastër, baj-paset e shumta etj. Tani edhe kryevepra e dytë e infrastrukturës shqiptare, autostrada Tiranë-Elbasan me tunele që realizoi një nga ëndrrat e qytetarëve tanë për lidhjen shkurt të veriut me jugun e Shqipërisë në drejtim të Korçës, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës, Vlorës e Bregdetit. Tashmë Elbasani mund të quhet natyrshëm edhe Tirana-2, Librazhdi qytet i afërt i Tiranës dhe Pogradeci plazhi malor i saj.
Rama i sëmurë nga marazi nga këto arritje historike, Majko i dështuar në këto punë të vështira e Ben Blushi, me gjakimin e përçarjes kombëtare, hipur në autobuzin mavi, me magjarët e çalë përpara, le të masin gjatësinë e rrugëve të ndërtuara deri më sot, i pari me kilometra katrorë, i dyti me centimetra, i treti me rreshtat e shkrimeve antishqiptare të diktuara nga i ati. Pamja do të bëhej më e plotë nëse para autobusit të rreshtonin edhe portretet e Byrosë Politike. Ben Blushi i filozofisë kundërnacionaliste, të strehohet në tunelet-bunker me lakuriq nate të Enverit, për të cilin thurte lavde gjyshi poet. Meqenëse autostrada e tunelet bashkuan Tiranën e demokracisë me Elbasanin e lashtë të kulturës, do të bënte mirë ta flakte kartën e PS në lumin e Zaranikës e të merret me romane përralla të babës nga arkiva e gjyshit Stalinist. Le të lebetiten Artan Lamet e gënjeshtrave, Ilir Bejtat e bejteve, Taulant Ballat e sajimeve dhe kryetari i Bashkisë Elbasanit Qazim Sejdini, duke shtyrë nga prapa autobuzin mavi përmes tunelit e kësaj autostrade të rrallë në Ballkan e të lahen në Shkumbin, për të qetësuar mendjet e turbulluara. Së fundi, t’u kërkojnë të falur qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë për tërë mbrapshtitë në Kuvend, për shpifjet e mashtrimit, barrikadat e turpshme me goma e gurë gjatë rrugës për në Librazhd. Le të shfryjë Koço Kokëdhima me britmën “fashist” kundër demokratëve, ky enverist i fshehur, ish-sekretar i parë i Komitetit të Rinisë në Fier dhe biznesmeni dinak i korrupsionit. Vlora e gjithë bregdeti, të rrezikuar nga makutëria e tij, tashmë e kanë të qartë me kë kanë të bëjnë. Gjithkush para se të votojë duhet të njihet me historinë e vërtetë  e cila tregon se ardhja në pushtet e partive të majta  në Ballkan dhe Europë shoqërohet me përvetësime vlerash monetare e kriza të thella ekonomike. Shembujt janë të shumtë, me socialistët në Greqi, Spanjë  e gjetiu. Hidhni një sy punëve të kryebashkiakëve socialistë gjatë viteve të pushtetit vendor, duke filluar nga Edvin Rama me shpërdorimin e fondeve të qeverisë, me betonizimet e frikshme, tenderat koruptive, taksat marramendëse e shkujdesjen  antikombëtare ndaj monumenteve  të kulturës.  
Qytetarët në qytet e fshat kanë besim te Qeveria Demokratike e kryeministri  energjik doktor Berisha, që me optimizëm premton zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit rrugore. Rrugët janë arteriet e gjakut për shëndoshjen e ekonomisë kudo nga veriu në jugë për të gjithë. Ata dëshirojnë mbarimin edhe të rrugëve në ndërtim e sipër që presin shkurt drejt drejt Dibrës, Korçës, Belshit e Kuçovës, Beratit, Memaliajt, Delvinës për në Sarandë nga ura e Kardhiqit edhe të rrugëve mbi Gjirokastër për në Labëri.
Ajo që vërehet nga të gjithë është se PS-së i ka humbur rrugët, kurse shumica e shqiptarëve, kanë një udhërrëfyes për të ardhmen drejt Bashkimit Europian dhe kjo është Partia Demokratike, një parti properëndimore që po i siguron Shqipërisë vendin që i takon në rajon, në Europë dhe në botë. Ndaj merr kuptim të qartë thirrja e Koalicionit të Djathtë: Punësim, Mirëqenie, Integrim. Ne Jemi Ndryshimi. Përpara! Zoti e bekoftë Shqipërinë. Rroftë Shqipëria!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›