E Shtunë, 31 Tetor 2026

LIRIA E MEDIAS PERTEJ RAMES DHE BERISHES

Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në Itali u zhvilluan protesta kundër presioneve që pushteti i Kryeministrit Berluskoni po ushtron mbi mediat, si dhe mbi gazetën "La Republika". Në Tiranë, ku shtypshkronja e një gazete mbahet ende e rrethuar dhe situata e mediave është edhe më tragjike se në Itali, nuk ndodhi thuajse asgjë. Vetëm një deputet socialist, Erion Braçe, hodhi në "Facebook"-un e tij një artikull shumë kritik kundër Berluskonit të gazetarit italian Roberto Saviano, duke i ftuar vizitorët të komentojnë. Mesazhi? A nuk ngjajnë situata e medias italiane e kërcënuar nga Kryeministri dhe kjo e medias shqiptare e kërcënuar nga Berisha, si dy pika uji. Ngjajnë pa dyshim, por jo tamam-tamam fare. Si për shembull, në faktin që në Itali protestohet për lirinë e fjalës, ndërsa në Shqipëri jo. Por ka edhe disa dallime të tjera që Braçes si deputet i majtë nuk i pëlqen t‘i shohë, madje nuk ju pëlqen edhe jo pak mbështetësve të majtë dhe veçanërisht, të zotit Rama. Dhe kryesorja e më alarmantja është se media shqiptare ndodhet jo vetëm nën presionin e Kryeministrit Berisha, por edhe nën atë të liderit të opozitës, Edi Rama. Shfaqet një presion i djathtë, por edhe një kërcënim i majtë, për mediat dhe zërat kritikë të gazetarisë në Tiranë.

***

Prandaj dhe liria e medias shqiptare sot rrezikon të arratiset "tej së majtës dhe së djathtës ose më saktë, tej lidershipeve ekzistuese të së majtës dhe së djathtës. Mjerisht. Sepse nuk duhet të qe kështu. Pas 20 vjet tranzicion drejt Europës, liria e fjalës dhe e medias duhet të qe bërë "një vlerë e gjithëpranuar dhe e patjetërsueshme", si për të majtën, ashtu edhe për të djathtën. Në të kundërt, ne shohim që përpjekjeve të paepura të Berishës për të kapur gazetarët dhe mediat, i janë shtuar edhe ato të Ramës nga krahu tjetër. Nën lidershipin e Ramës, e majta ka zgjedhur ta luftojë kapjen berishiste të medias me kapje të medias. Prandaj nuk fola për gazetarë të dhunuar fizikisht, gazetarë të burgosur apo për redaksi të djegura. Berisha ka hequr dorë prej kohësh nga një dhunë e tillë primitive dhe vetëdemaskuese. Përse ta djegësh një gazetë kur mund ta kapësh, përse ta dhunosh fizikisht një gazetar kur mund ta përdorësh? Rama ka vendosur t‘i kundërvihet Berishës, jo duke i kundërvënë kapjes lirinë e medias, por duke e shkërbyer Berishën, duke hyrë me të në një garë për të siguruar një balancë, një detantë mediatike "superfuqish". Dhe qahet vetëm sa herë nuk ka aq "koka raketash" mediatike sa Kryeministri. Qahet se nuk ka kapur aq media sa duhet. Liria e medias nuk i intereson, sepse nuk i shërben.

***

Dhuna fizike ndaj medias dhe gazetarëve është zhdukur por jo dhuna. Ajo ka marrë forma të tjera, më të "buta" por më të heshtura, më të thella, më rrënjësore por edhe më shkatërruese dhe dekurajuese. Prandaj edhe në Shqipëri, sikundër në Itali, gjendja është siç shkruan Saviano: "Cilido që mban një qëndrim kritik, e di që duhet të presë një reprezalje". Dhe ç‘mund të jenë këto të fundit? S‘po flasim për shikim shtrembër edhe nga komshiu. Lufta është shumë më e padukshme dhe prandaj më e rrezikshme se kundërvënia e hapur e komshiut fanatik që s‘vlen dy grosh, por që refuzon të përshëndesë në emër të solidaritetit me liderin. Dikush i bën një telefonatë pronarit për ta bindur që të largojë apo të "zbusë" gazetarin kritik. Nëse haset rezistencë, mbi median mund të ushtrohen ca kontrolle fiskale selektive dhe agonizuese. Një media tjetër mund të angazhohet që të rrëmojë në jetën private të gazetarit, ta shantazhojë dhe ta përbaltë. Një zyrtar mund të marrë urdhër për të pushuar nga puna të afërm të gazetarit për t‘ia bërë kështu edhe më të vështirë mbijetesën ekonomike, për të shndërruar koston e fjalës së lirë në falimentim, guximin për ta thënë atë në frikë dhe pasionin për të vërtetën në një thuajse vetësakrifikim. Arsenali i mbytjes butësisht të fjalës së lirë pasurohet pambarim pikërisht pse gazetarët dhe mediat varfërohen. Në sajë të kësaj varfërie, politika ka arritur tashmë të kapë media dhe gazetarë dhe i fut ata në lojë kundër gazetarëve. Drejtues programesh marrin porosi se kë të ftojnë apo të mos ftojnë në studiot e debatit politik. Emra që dikur ishin të lutur të dilnin në ca ekrane, tani janë bërë të papranueshëm për ta. Dhe është lehtësisht e provueshme se ky arsenal po përdoret mjeshtërisht nga të dy krahët e politikës, nga politika e vjetër por edhe nga ajo "e re". Prandaj të ngresh zërin për lirinë e shprehjes do të thotë, edhe në Shqipëri, të kërkosh ta bësh punën tënde pa qenë i sulmuar në planin personal, do të thotë, sikundër shkruan Saviano "të denoncosh një klimë kërcënuese që sundon në 360 gradë". Por kjo nuk i pëlqen ca të djathtëve, sepse preket lideri. Po ashtu edhe ca të majtëve për të njëjtin shkak. Prandaj liria e medias shtrëngohet të kërkojë strehë tej së djathtës dhe së majtës, ku praktikisht, nuk mund të ketë liri. Sepse, liri fjale mund të ketë vetëm në ato shoqëri ku ajo është një vlerë jo vetëm e gjithëpranuar, por edhe e gjithëmbrojtur, jo e sharë por e lëvduar, jo e sabotuar por e inkurajuar nga shumica, por edhe nga pakica, në një shoqëri ku pushteti dhe opozita konkurrojnë sesi ta çlirojnë fjalën nga vargonjtë e materialitetit dhe skamjes, dhe jo t‘i përdorin ato për ta shantazhuar dhe skllavëruar.

***

Vetëm ca ditë më parë pashë në emisionin "Opinion" sesi një ministër i Berishës (Olldashi|) u përpoq t‘i merrte erzin, gjatë një debati, njërit prej gazetarëve më të njohur në vend, duke i përmendur blerjen e një garazhi. Dhe qe një debat "butësisht kritik". Një lloj shantazhi që i është bërë edhe jo pak gazetarëve të tjerë. Por çështja nuk është morale dhe gazetari "nuk bën pyetje në emër të epërsisë morale". Ndryshe gazetarët duhet të ishin shenjtorë. Gazetari mund të jetë bërë pis po ashtu si shoqëria e përbaltur ku ai jeton, por profesioni i jep atij të drejtën të kërkojë, në emër të publikut, një përgjigje nga titullari, politikani, i jep të drejtën të marrë në pyetje demokracinë, pushtetin, të fuqishmit. Dhe publiku duhet të hapë veshët (sepse në dialogun e medias me pushtetin dhe politikën luhet jo pak herë fati i tij), për të dëgjuar sesi përgjigjen ata që janë në pushtet, si japin llogari, dhe jo të gajaset kur pushtetarë e politikanë i fshehin të vërtetat përvëlonjëse duke shantazhuar "mëkatet" e gazetarëve. Kështu pisllëku maskohet me pisllëk ndërsa njerëzit, duhet të jenë aq të zgjuar sa të përdorin qoftë edhe një pisllëk për të pastruar tjetrin. Ashtu sikundër përdorej dikur finja nga gjyshet tona. M‘u kujtua se ca kohë më parë, më qe dashur t‘i përmend po këtij ministri, dhe po në "Opinion", përzënien që i kish bërë nga puna motrës së gazetarit Mustafa Nano, i njohur për kritikat e rrepta ndaj Berishës. Është cinike, alarmante por edhe e rrezikshme sesi pushteti këmbëngul të shantazhojë gazetarët me jetën e tyre private.

Dhe e bën pasi toleron që gazetarët të punojnë fare të pambrojtur, pa kontrata dhe në shumicë, me rroga mjerane që nuk i ndihmojnë aspak të krijojnë bazën ekonomike të guximit dhe lirisë së fjalës, por i detyrojnë të qëndrojnë kokunjur para pronarit apo atij që fshihet pas pronarit, politikës apo mafies. Ndoshta edhe të dyjave bashkë.

Por është edhe më alarmuese kur shikon se opozita politike jo vetëm nuk e ka fare në axhendë lirinë e fjalës por, bëhet konkurruese me pushtetin në kapjen e medias. Sot publiku nuk e ka fort të vështirë të identifikojë se cilët janë ekranet apo gazetat e Berishës dhe cilat janë ato të Ramës. Por e ka gjithnjë e më vështirë të identifikojë ekrane dhe gazeta të paanshme. Ato po bëhen një specie gjithnjë e më e rrallë. Ndërkaq u bënë proverbiale kasetat e parapërgatitura që Rama, gjatë fushatës i dërgonte për transmetim televizioneve që nuk lejoheshin të përgatisnin kronikat e tyre të lira nga mitingjet e PS. Një mbështetës i majtë shprehte në "Facebook"-un e Braçes, shqetësimin se pushteti i Berishës kërkon t‘i bëjë mediat të thonë vetëm atë që do ai. Është shumë e saktë! Por edhe kasetat e Ramës janë, po ashtu, tamam t‘i detyrosh mediat të transmetojnë pikë për pikë vetëm atë që do ai. Jo rastësisht edhe Berisha e imitoi Ramën menjëherë. Nisi edhe ai të dërgojë kaseta dhe të mos lejojë gazetarë nëpër mitingje. Por në Shqipëri e keqja ka vajtur edhe më përtej. Dhe për ta shprehur duhet të citojmë Savianon: "Ai, që ashtu si unë, e di si funksionon një botë e bazuar mbi ushtrimin e një pushteti për të cilin gjithçka bëhet e lejueshme, e kupton se, pasi janë shembur disa prita, nuk ka më kurrfarë garancie që lumi i fryrë i arbitraritetit të mos përmbytë gjithçka në një kohë të shkurtër". Në Shqipëri, lideri i opozitës Edi Rama, në konsensus me Kryeministrin Berisha, u angazhua në krijimin e një pushteti kryeministror gjithnjë e më absolut, u angazhua në shembjen e atyre pritave kushtetuese që pengonin përmbytjen e gjithçkaje nga lumi i arbitraritetit autoritarist. Prandaj dhe këmbëngulim se liria e medias dhe e fjalës qëndron tej Ramës dhe Berishës, në zemrat e gazetarëve të mbështetur nga opinione publike me devocion ndaj lirisë. Por të mbështetur edhe nga politika dhe lidershipe që e bazojnë fitoren jo te kapja, manipulimi i medias, por te liria e saj. Prandaj është e gabuar dhe e rrezikshme, jo vetëm për sot, por edhe për nesër, të thërrasim vetëm "ujku" në një kohë që "çakalli" bën kërdinë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›