E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënime margjinale Sekreti i peshkut

Qeni që hante limona, emrat e Fernando Pessoas dhe të kërkuarit e përgjigjeve

1.

Kam një kushëri , tha. Biseda nuk ishte për kushërinjtë, por për qentë.

Kam një kushëri , pra, tha. Dikush tjetër i ulur në tryezë i tha se nuk kishim bisedë kushërinjsh, por qe fjala për qentë.

Edhe ashtu ështe vonë, lokali duhej të mbyllet, shtoi pronari.

Por, ai kishte një kushëri. Dhe kushëriri jetonte në Zelandë të Re, dhe kishte një pastor gjerman. Dhe i jepte të hante limona.

- Po, pse i jepte limona - e pyetën?

- Limona i jepte, tha. Ia vinte qenit përpara, dhe i urdhëronte që ky t‘i hante.

- Po, por përse limona?

- Sepse është mafioz, ky kushëriri im, dhe ka dy truproje të mëdhenj, zezakë, dhe i jepte qenit limona dhe ky i hante.

Dhe nuk iu shtrua më pyetja e radhës, "po, përse limona?", sepse në atë natë të fundit të shtatorit në Prishtinë, sikundër edhe në çdo muaj tjetër, nuk është me rëndësi të shtrohen pyetjet, por të dëgjohen përgjigjet e pyetjeve të pashtruara, e të merren ashtu siç janë, siç është edhe Prishtina, edhe Kosova, e atillë që të paramendojë kushëririn tonë në Zelandë të re, të rrethuar me dy truproje zezakë duke i urdhëruar pastorit të tij gjerman të ushqyerit me limona, me tërë grimasën e hidhur fytyre që shkakton të përmendurit e agrumit, e duke e lënë si të nënkuptueshëm faktin se shumëherë, ndoshta çdo herë, këtu e ke vështirë të kërkosh kuptimin e gjërave. O nuk kanë kuptim, o kuptimi, nëse ekziston, do të shfaqet vet.

2.

Ka kohë që nuk e kërkon kuptimin. Njihemi prej vitesh - të sfiduar prej kohës dhe tundimeve të saj - e, ditën kur ia komunikuan sëmundjen e mora vesh dhe unë.

Rrijmë buzë lumit, muaj pas diagnozës dhe detyrimit primar për t‘i gjetur kuptim asaj - kërcënimit të një jete dhe, posaçërisht mundësisë së të imagjinuarit të asaj që mund të sjellë jeta - me disa fjali që përshkruajnë ndryshime rrënjësore trupore, të atilla që të bëjnë krejt ndryshe, gradualisht, ndoshta edhe shpejtësisht, deri në transformimin final, atë të të ndërruarit jetë.

Tash gjërat po ecin më mirë, terapia po i jep efektet e veta dhe sërish nuk po e kërkon kuptimin, ndërsa ai, kuptimi, po vjen. Gradualisht, ndoshta shpejtësisht, me çdo ditë të përballjes së sëmundjes, mbase vetëm për të thënë se ai, kuptimi, është vet akti i përditshëm i të jetuarit, i papyetur, i shprehur si përgjigje e pakërkuar.

3.

Është një silur (silurus glamis) i fshehur në Badovc, thonë se i ka dyzet kilogramë e disa të tjerë do të thonë se i ka dyqind, por nuk e ka parë njëri, as këta të versionit të lehtë të peshës e as këta që e përshkruajnë si një buall me mustakë që noton në thellësi të liqenit. Thonë se mund të zësh vetëm në netët me vetëtimë apo me përdorim të llambave të forta elektriku, sepse siç e dime të gjithë, sekretet e peshkut, nuk mund t‘i bëjnë ballë joshjes së të vërtetës, të të zbuluarit nga drita.

Një peshk tjetër, megjithatë, ka telashe me aktin e të zbuluarit. Çdo here kur e sjell në tryezë, Marku - pronari i lokalit te lumi - e përshkruan me emrin e tij serbisht, "smugj", duke i ikur të shqiptuarit të emrit të tij shqip, "Lucifer", atij të Largqoftit që duke ikur nga drita shkoi e u fsheh në emrin e topitjes emocionale të peshkut para fërgesës. Dhe duke krijuar kështu nevojën njerëzore e të kërkuarit të kuptimit të gjërave përtej emrit që mbajnë.

4.

Fernando Pessoa, poeti portugez, thuhet të ketë mbajtur 72 emra, heteronime, bartëse të të vërtetave, ndenjave, pasioneve, observimeve, ëndërrave dhe çdo forme tjetër të përkthyeshme në poezi. U dha jetë, mes tjerëve Alvaro de Camposit, poetit që vetëm ndiente, Alberto Caeiros, poetit që vetëm shihte me sytë, jo me mendjen dhe, natyrisht, Ricardo Reisit (për të cilën shkroi Saramago), poetit që do të thotë se duhet "shikuar jetën nga distance. Nuk duhet vënë atë në pyetje. Nuk ka gjë që të mund të të tregojë".

Në fund, kur vdiq, la një libër të vetëm me emrin e tij, dhe 27 mijë faqe të tjera të paredaktuara, që do t‘i përkasin ndonjërit prej heteronimeve, poetëve që pas vdekjes së tij kanë jetën e tyre të veçantë, për aq sa Fernando Pessoa është njëri prej 72 heteronimeve të Fernando Pessoas, i barasvlefshëm me të gjithë të tjerët, duke bërë me dije se emri i gjërave a i njerëzve nuk të jep menjëherë kuptimin e tyre.

5.

Dëgjoj, here pas here, gjuhën e pushtetit, të heteronimeve të ndryshme të pushtetit në Kosovë. "Them një qasje në proces që mbi këtë bazë e përshkrova që do të mund të sillte një ecje, gjithnjë mbi atë bazë…", apo, "rezultatet e sivjeme në ekonomi, të Kosovës, demokratike, shtet i pavarur dhe sovran që respekton të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve, e përcaktuar për integrime euro-atlantike, janë…").

Krijesa të një Pessoe mediokër kolektiv, përpiqen ta përshkruajnë një realitet, me varfërinë poetike dhe politike të tyre, me gjuhën e topitjes emocionale të peshkut para fërgesës, duke u fshehur pas emrave të funksioneve, me shpresë se do të braktisim të kërkuarit e kuptimit të gjërave dhe do t‘i afrohemi pjatës me limona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›