LMN: “Bojkoti, sfidë ndaj ndërkombëtarëve, PS-ja po shkon drejt vetizolimit”

Vendimi kryeneç i Edvinit për të braktisur seancën plenare pas një pseudofjalimi të Namik Dokles dhe mesoburrit Erjon Braçe, është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja për Mendim Ndryshe në PS. Arben Malaj dhe Kastriot Islami u shprehën dje pas daljes së deputetëve nga Kuvendi, se me këto lëvizje PS po tregon mungesë të theksuar pjekurie dhe efikasiteti politik. Malaj dhe Islami deklaruan njëherazi se rifillimi i bojkotit është një sfidë që i bëhet institucioneve ndërkombëtare, të cilëve PS u ka premtuar se do të vazhdojë betejën e saj në sallën e Kuvendit.
“Vendimi për të braktisur sallën u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Unë kam votuar kundër daljes së deputetëve nga salla, për faktin e vetëm se ne jemi një forcë politike solide dhe duhet t’i bëjmë ballë në Kuvend pretendimeve tona. Ne duhet të qëndrojmë në parlament ashtu siç u kemi premtuar zgjedhësve tanë, ndaj duhet të kërkojmë interesat e tyre”, u shpreh deputeti Malaj.
Porsa i takon vendimit të asamblesë socialiste të shtunën dhe lidhur me një vendim të mundshëm për të vazhduar protestat, Malaj shprehet se “përdorimi i protestave për të kapur objektiva strategjike të një force politike janë të pamjaftueshme”. Mund të ketë shumica numerike që mbështesin këtë ndarje mes detyrimit për të qenë në parlament dhe protestave dhe njëkohësisht e shohim këtë si një sfidë afatgjatë të PS-së dhe për vendin tonë”, tha Malaj.
Sipas tij, vazhdimi i bojkotit nga ana e opozitës dëmton rëndë aspiratat e integrimit të vendit dhe njëherazi do të ketë kosto porsa i takon situatës ekonomike.
Ndërkohë deputeti i PS-së Kastriot Islami theksoi se bojkoti i opozitës është një veprim i gabuar dhe jo i suksesshëm për opozitën duke shtuar se debati politik duhet të bëhet në Kuvend.
“Ndërkombëtarët kërkojnë që PS të jetë në Kuvend. Bojkoti nuk është rruga e duhur për gjetjen e zgjidhjes. Unë nuk mora pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar dhe nëse do të kisha marrë pjesë vota ime do të ishte kundër daljes nga Kuvendi.
Partia Socialiste, pavarësisht se mundohet të shpjegojë se ka marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin, gjë që e ka bërë që në fillim të këtij mandati të parlamentit, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, e thënë në mënyrë shumë të qartë, bojkoton parlamentin. Ka patur një veprim të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën dhe është tentuar të zgjidhjet kjo amulli që ka pasuar zgjidhjet dhe përfundimisht kjo gjë nuk është arritur. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që PS të jetë prezentë në mënyrë permanente në parlamentin shqiptar, në kuptimin që duhet të jetë pjesë e funksionimit normal të parlamentit dhe gjithçka të zgjidhjet atje, qoftë edhe transparencën e zgjedhjeve. Vendim i për të lënë parlamentin është në vazhdën e vendimeve të gabuara sa edhe të tjerat, duke mos e bërë serioze Partinë Socialiste”, deklaroi Islami.
Sipas tij, PS do të humbasë elektoratin e saj, për sa kohë aplikon hyrje-daljet nga Kuvendi.
...