PS, me një “kauzë” të vetme, të destabilizojë vendin

Deklaron Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, u shpreh dje në seancën plenare të radhës gjatë diskutimit të lirë, se opozita e drejtuar nga Edi Rama, është opozita më hipokrite në botë dhe se synimet e saj janë të konfuzionojë situatën politike në vend dhe njëherazi të sjellë destabilizim. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i PS nuk është transparenca e zgjedhjeve, por destabilizimi dhe futja e vendit në një krizë të thellë. “Këta duan turpërimin e Shqipërisë, si një vend i cili nuk është në gjendje të forcojë shtetin ligjor. Këta ankohen se nuk u kemi pranuar listën e tyre, që të kemi Komision hetimor parlamentar për 24 muaj. çfarë do të thotë kjo? 7-8 muaj kanë kaluar, por edhe 24 muaj? Pra shqiptarët të rrinë çdo ditë e të dëgjojnë përrallat e tyre për gjoja-zgjedhjet. Dhe ndërkohë këta kanë hallin e ekonomisë, bujqësisë, dhe hallet e tjera. Duan t’i mbajnë shqiptarët 4 vjet me kutitë e me fletët e votimit. Nuk kanë këtë shqetësim. Jo vetëm kaq, por këta duan që Shqipëria, jo 4 vjet, por edhe 40 vjet të tjera të ketë vetëm këtë punë.
Sepse këta duan ta instalojnë si precedent; që të bëhet reforma zgjedhore, të bëhet kodi zgjedhor, të bëhen zgjedhjet, të vendosë KQZ, Gjykata, të shpallë OSBE-ODHIR rezultatin e zgjedhjeve, dhe këta thonë: “të bëhet një ligj në mënyrë që për çdo zgjedhje, edhe në 2013, edhe në 2017, edhe në 2057, le ti japim të drejtën kujtdo, pasi kanë mbaruar zgjedhjet, pasi është konfirmuar çdo gjë, përsëri të fillojë e njëjta procedurë, i njëjti avaz”, u shpreh Meta, duke shtuar se rrugën e integrimit të Shqipërisë nuk do mundin ta pengojnë të tilla sjellje të opozitës.
Zëvendëskryeministri u shpreh se mazhoranca ka plotësuar të gjitha kërkesat legjitime të opozitës, përmes të cilave mund të realizohet plotësisht transparenca e zgjedhjeve.
“Opozitës ju deshën 6 muaj që të kuptonin se duhet të vinin në Parlament, të paraqisnin disa nisma. Mazhorancën e kanë, komisioni është krijuar, të vinë kur të duan. Duan kryetarin e kanë, duan të hetojnë për financime të dyshimta, të hetojnë, duan të hetojnë për kutitë, le ti drejtohen Kushtetueses dhe Komisionit të Venecias”, tha më tej, Meta.
Më herët, ndërsa deputetët socialistë braktisnin sallën e seancave, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se opozita ka të drejtën e saj të ndërmarrë nisma ligjore, por gjithashtu ka edhe të drejtën të respektojë vendimet e Kuvendit.
Duke iu referuar komisionit parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, Patozi tha se binomi i kërkuar me forcë nga partnerët ndërkombëtarë është respekti për Kushtetutën dhe transparenca. “Komisionin Hetimor e kërkoi opozita vetë. Gjithçka ka ndodhur në dritën e diellit dhe në transparencë të plotë, opozita të gjejë kurajo dhe t’i drejtohet Komisionit Hetimor”, tha Patozi.
...