E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Imami: Kosova të jetë pjesë e NATO-s

Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës



Një ditë pasi presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dha mesazhin me rastin e 11-vjetorit të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, për shpëtimin e popullsisë kosovare nga spastrimi etnik, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Arben Imami deklaron se Kosova duhet të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, u dha gjatë Konferencës, mbi konceptin e ri strategjik të NATO-s, e cila u mbajt në sallën “Gjeneral Enriko Telini” të Auditoriumit të përuruar pak ditë më parë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua konferenca “NATO, Koncepti i Ri Strategjik dhe Shqipëria”. Në këtë veprimtari mori pjesë ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, zëvendësministrat e Mbrojtjes Arjan Starova dhe Zana Xhuka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, përfaqësues nga Ministria e Jashtme, profesorë dhe pedagogë nga bota akademike, përfaqësues nga shoqëria civile, studentë të akademive ushtarake etj. Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Sandër Lleshi, ministri i Mbrojtjes Arben Imami mbajti kumtesën me temë: “Mbi Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s”, ku shtroi si domosdoshmëri rishikimin e strategjisë ekzistuese, pasi bota tashmë po shkon drejt globalizimit, gjë që sjell natyrshëm edhe globalizimin e sigurisë. Sot NATO, u shprehu Ministri Imami, përballet me sfida të mëdha, shumë prej të cilave kërkojnë një angazhim që shkon përtej përgjigjes se thjeshtë ushtarake në kuptimin klasik. Nevojave të sigurisë, NATO do të duhet t’u adresohet në një spektër shumë më të gjerë politik, ekonomik, shtetndërtues, rindërtues, trajnues etj.


Më tej, Ministri Imami shprehu disa mendime lidhur me Konceptin e Ri Strategjik të Aleancës, duke u ndalur veçanërisht te roli dhe misioni i saj në “arkitekturën e re” të sigurisë ndërkombëtare. Për sa i përket partneritetit, ministri i Mbrojtjes u shpreh se Aleanca është e angazhuar dhe pritet të angazhohet në operacione në largësi strategjike globale. Kjo kërkon që NATO të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me demokracitë përtej bashkësisë Euro-Atlantike, me partnerë dhe vende me të cilat Aleanca ndan vlera të përbashkëta si Australia, Japonia, Zelanda e Re, etj. Vend të veçantë në kumtesë zuri edhe trajtimi i raporteve të NATO-s me Rusinë, për politikën e dyerve të hapura, për pranimin në Aleancë edhe të vendeve të tjera, duke përfshire edhe Kosovën. Më konkretisht gjatë konferencës u trajtuan çështje të rëndësishme si: perspektiva shqiptare mbi mjedisin e sigurisë globale, rajonale dhe kombëtare, në dekadën e dytë të shekullit XXI; qëndrimi shqiptar mbi zhvillimet e Artikullit 5 të Traktatit të Washingtonit mbi mbrojtjen kolektive të Aleancës; qëndrimi i Shqipërisë mbi përmirësimin e sistemit aktual të planifikimit të mbrojtjes kolektive të Aleancës; transformimi i Aleancës, buxhetimi, proceset vendimmarrëse dhe pozicioni i Shqipërisë; qëndrimi mbi mbrojtjen e hapësirës ajrore të NATO-s në tërësi, si dhe i hapësirës tonë ajrore në veçanti, në situatat e Artikullit 5, si dhe në rastet renegate; qëndrimi i Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s etj. Në përfundim të punimeve Konferenca do të dalë me një non-paper, e cila do të përmbajë disa propozime që mund t’u shërbejnë aktorëve politikë dhe ushtarakë në formulimin e qëndrimeve të Shqipërisë, në lidhje me çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›