E Martë, 3 Nëntor 2026

LONDËR – BM përjashton embargon e armëve ndaj Izraelit

LONDËR, 18 mars /ATSH-DPA/- Britania e Madhe nuk do të vendosë një embargo armësh ndaj Izraelit lidhur me një bllokadë të ndihmës për Gazën, e cilësuar nga sekretari i jashtëm si një “shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha sot ministri i lartë i kabinetit, Pat McFadden.

Pat McFadden, një figurë kyçe në qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, tha se Britania e Madhe në vend të kësaj do të përdorte çfarëdolloj ndikimi diplomatik për të kërkuar rivendosjen e një armëpushimi pasi zyrtarët e spitalit thanë se qindra palestinezë ishin vrarë në sulmet gjatë natës.

Bombardimi i befasishëm përmbysi sot armëpushimin në fuqi që nga janari dhe kërcënoi të rindizte plotësisht luftën 17-mujore.

Izraeli urdhëroi sulmet pasi Hamasi refuzoi kërkesat e tij për të ndryshuar kushtet e armëpushimit dhe gjithashtu ndërpreu dërgesat e ndihmave për dy milionë palestinezët e Gazës në përpjekje për të ushtruar presion ndaj grupit për të pranuar.

Qeveria britanike do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së drejtës së Izraelit për të mbrojtur veten, por nuk beson se ndërprerja e energjisë dhe furnizimeve thelbësore për një popullsi të tërë është e justifikuar”, tha McFadden.

Ushtria izraelite urdhëroi sot evakuuimin e banorëve ne Gazën lindore, duke përfshirë pjesën më të madhe të qytetit verior të Beit Hanoun dhe komunitete të tjera më në jug, duke treguar se së shpejti mund të rifillonte operacionet tokësore.

Gjatë gjashtë javëve, Hamasi liroi 25 pengje izraelitë dhe trupat e tetë të tjerëve në këmbim të gati 2 000 të burgosurve palestinezë në fazën e parë të armëpushimit.

Por, që kur ajo fazë përfundoi dy javë më parë, palët nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një marrëveshje.

Hamasi ka kërkuar përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura.

Izraeli dëshiron që Hamasi të lirojë gjysmën e robërve të mbetur në këmbim të një premtimi për të negociuar një armëpushim të qëndrueshëm dhe ka thënë se nuk do t’i japë fund luftës derisa të shkatërrohen pajisjet qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›