E Shtunë, 31 Tetor 2026

LPK: Skena të tilla na rikujtojnë pushtuesit serb

Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) ka reaguar ashpër ndaj krerëve të pushtetit që urdhëruan Policinë e Kosovës për të shuar me dhunë protestën e ligjshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e në të cilën kanë marrë pjesë edhe shumë anëtarë të LPK-së.

Përmes një reagimi me shkrim LPK kujton faktin se protesta e organizuar me moton “Serbia nuk Kalon”, në pikat kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, kishte për qëllim respektimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë ekonomik e politik ndaj Serbisë.

Sipas LPK-së, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësor, duke e bërë Kosovën shtet policor.

“Skena të tilla të përdorimit të dhunës, gazit lotsjellës, topave të ujit si dhe sharjeve e fyerjeve të rënda, për fat të keq, na rikujtojnë të kaluarën e hidhur dhe përpjekjen e popullit tonë kundër pushtuesit shekullor serb. Nuk mund ta besojmë se kjo dhunë u urdhërua e u ushtrua nga të ashtuquajturit ish- udhëheqës dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilëve u janë verbuar sytë nga pushteti”, thuhet në reagim.

Më tutje, Lëvizja Popullore e Kosovës thotë se është e indinjuar për pengimin që Policia e Kosovës ua bëri qytetarëve nga shteti amë Shqipëria dhe trojet tjera shqiptare për t’iu bashkëngjitur protestës.

“Lëvizja Popullore e Kosovës iu bën thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që mos të manipulohen edhe më tutje nga klika e pushtetarëve, të cilët në emër të “mbrojtjes së lirisë së lëvizjes”, kanë për qëllim mbrojtjen e interesave te ngushta klanore të tyre”.

Ndër të tjera, Lëvizja Popullore e Kosovës bën thirrje për unitet të forcave të shëndosha dhe të pa komprometuara në cilëndo parti qofshin ato me qëllim të krijimit të një fronti të përbashkët për arritjen e synimeve tona kombëtare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›